Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman, takoi në selinë e Presidencës, kreun e shtetit Ilir Meta. Gazetari i Report Tv, Elis Memelli, raporton se takimi ka nisur rreth orës 11:15 në Presidencë. Temë e diskutimet mendohet të jenë zhvillimet politike në vend, si pasojë e aksionit opozitar jo vetëm për largimin e qeverisë përmes protestave, por edhe deklaratave për të bllokuar procesin zgjedhor të 30 qershorit, ku opozita joparlamentare ka shpallur bojkot.

1558430231_norman001.jpg

Për shkak të krizës politike, kreu demokrat Lulzim Basha udhëtoi drejt Britanisë së Madhe, ku u kthye ditën e djeshme. Edhe nga zyrtarët atje, Basha mori thirrje për tu ulur në dialog me mazhorancën, një ftesë që kryeministri Edi Rama e ka ende të hapur për kryedemokratin Basha.

Edhe Presidenti Ilir Meta, nga ana e tij ka apeluar që palët të ulen në dialog konstruktiv për të shmangur që vendi të shkojë në konfrontime që mund të kthenin vitin e mbrapshtë '97, ndërkohë që të gjithë kanë vënë theksin edhe tek pasojat që po i jep ekonomisë së vendit kjo krizë politike.