Refuzimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për të votuar Bekim Sejdiun për president ka thelluar pasigurinë politike ku ndodhet Kosova pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti e cilësoi vendimin e tyre si "të papërgjegjshëm", në mbështetje të deputetëve rebelë doli ish-emisari amerikan Richard Grenell.
Në një postim në X, Grenell publikoi një fotografi të Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Armend Zemajt, Kujtim Shalës dhe Janina Ymerit, duke i cilësuar ata "miq të mëdhenj të Amerikës".
Po sot, reagoi edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku duke bërë të qartë se marrëveshja për presidentin me Vetëvendosjen nuk ishte një marrëveshje qeverisëse me këtë parti.
Abdixhiku shtoi se zgjedhjet nuk kanë qenë as kërkesë dhe as objektiv i LDK-së, ndërsa kritikoi deputetët që kundërshtuan kandidaturën.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses. Për këtë ndiej vetëm keqardhje” tha Abdixhiku.
Ai nuk pati një përgjigje për Kurtin i cili tha një ditë më parë se do të kërkojë një takim tjetër me Abdixhikun.
Kurti e cilësoi sjelljen e gjashtë deputetëve "absurde", "të dëmshme" dhe "të papërgjegjshme" por shprehu gjithashtu shpresën se edhe partitë e tjera do të japin kontribut për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, këtë të mërkurë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës organizuan një tjetër protestë, duke akuzuar Vetëvendosjen se po mban të bllokuar krijimin e institucioneve. Opozita kërkoi thirrjen e menjëhershme të seancës për konstituimin e Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja, të cilat një muaj pas afatit kushtetues po mbahen peng nga çështja e presidentit.
"Kërkesa jonë sot është që ta lërë njëherë e përgjithmonë egon e tij, t’i kthehet krijimit të institucioneve të reja dhe ta ndalë bllokadën politike që po e bën si parti që ka marrë besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Ia kemi borxh këtij vendi, ia kemi borxh gjeneratave të reja, por mbi të gjitha ia kemi borxh Kosovës që t’i hapim rrugë krijimit të institucioneve të reja, dhe thirrja ime sot është që zoti Dehari ta ftojë seancën sepse nuk ka më kohë për të pritur. Kemi tejkaluar çdo afat kushtetues, çdo afat ligjor dhe jemi përtej çdo norme demokratike e kushtetuese. Prandaj po e përsëris: kthehuni në seancë, konstituoni Kuvendin, pastaj mundësitë janë që ai, nëse i ka votat, të procedojë me zgjedhjen e presidentit”, tha deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit. Vetëvendosje ka 53 mandate dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, nuk arrin ta sigurojë këtë numër pa mbështetjen e LDK-së. Me kundërshtimin e gjashtë deputetëve, kuorumi bëhet i pamjaftueshëm, duke rritur mundësinë që procesi të dështojë dhe vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku thotë se mes partisë së tij dhe Vetëvendosjes nuk ka pasur asnjë marrëveshje për t’u refuzuar. Sipas tij, të gjithë deputetët e LDK ishin pajtuar me vendimin për të qëndruar në opozitë.
Ai pyet se çfarë është “shpëtuar” me këtë veprim duke iu referuar deklaratave si refuzim marrëveshjeje. E vetmja gjë që është refuzuar, sqaron Abdixhiku, është votimi i kandidatit të propozuar nga LDK për çështjen e presidentit.
Kreu i LDK mohon që zgjedhjet e reja të kenë qenë pjesë e axhendës partiake. Ai shpreh keqardhje për situatën e krijuar, por thekson se nuk dorëzohet dhe republika do të fitojë.
Postimi i plotë:
Mirëmëngjesi, Kosovë!
Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion.
Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks?
Çfarë paskan shpëtuar?
Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja.
Dëm mund të bëjë çdo kush.
Për këtë, ja dora!
Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!
Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses.
Për këtë ndiej vetëm keqardhje!
Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!
Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar sërish për zhvillimet politike në Kosovë, këtë herë duke dalë hapur në mbështetje të gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që kanë refuzuar të votojnë Bekim Sejdiun për president.
Në një postim në rrjetin X, Grenell publikoi një fotografi të Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Armend Zemajt, Kujtim Shalës dhe Janina Ymerit, duke i cilësuar ata si "miq të mëdhenj të Amerikës".
"Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës", shkroi Grenell.

Reagimi vjen në kulmin e përplasjes brenda LDK-së, pasi gjashtë deputetët deklaruan se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke vënë në vështirësi marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Ndër deputetët që kanë dalë kundër kandidaturës së Sejdiut është edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ai argumentoi se presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese dhe se, sipas tij, kjo kandidaturë nuk përfaqëson parimet dhe interesat politike të LDK-së.
Hoti drejtoi Qeverinë e Kosovës që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2020. Në atë çështje, Bekim Sejdiu ishte gjyqtar raportues.
Ky nuk është qëndrimi i parë kritik i Grenellit për zhvillimet politike në Kosovë. Vetëm pak javë më parë, ai ia atribuoi Albin Kurtit përgjegjësinë për krizën politike në vend, duke deklaruar se kryeministri në detyrë "nuk di si të qeverisë" dhe se ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.
Në të njëjtën deklaratë, Grenell u shpreh edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se Perëndimi dëshiron ta shohë të lirë dhe të rikthyer në Kosovë për të kontribuar në udhëheqjen e vendit.
-
Opozita duhet të vazhdoi ta bllokoi anti shqipëtarin e ndyrë Albin Kurti.
Përgjigju







Komente
Komento