Partia Demokratike e Kosovës paralajmëron një fazë të re të veprimit të saj përballë krizës institucionale që po kalon vendi këto 18 muajt e fundit. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi sot se durimi i deritanishëm i partisë nuk duhet të interpretohet si pranim i paligjshmërisë dhe se nga tani e tutje do të ndiqen edhe forma të tjera veprimi.

“Durimi ynë institucional nuk duhet të ngatërrohet me pranimin e paligjshmërisë. Prandaj, nga sot, Partia Demokratike e Kosovës do ta rimendojë mënyrën e veprimit të saj. PDK-ja do të shqyrtojë forma tjera të veprimit politik, institucional dhe juridik për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë dhe për ta kthyer Kosovën në binarët e ligjshmërisë”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, situata e krijuar nuk është më një mosmarrëveshje e zakonshme politike, por një çështje që prek vetë rendin kushtetues të Kosovës.

“Kjo që ka ndodhur nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë politike. Nuk është konflikt mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk është konflikt mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit. Është konflikt mes një mënyre autoritare të ushtrimit të pushtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Në demokraci, edhe kur nuk të pëlqen Kushtetuta, nuk e shkel atë. Kur nuk të pëlqen një vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk sillesh sikur ai nuk ekziston. Dhe kur Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konstaton se deputeti nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e ministrit, nuk mund të sillesh sikur gjykata nuk ka folur. Tash, vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për 9 shtator, pas afatit prej 30 ditëve që e ka përcaktuar vetë Vetëvendosje. Por Kuvendi i Kosovës nuk mund të presë derisa një parti t’i përfundojë kalkulimet e veta. Kuvendi është institucion i Republikës së Kosovës. Kjo nuk është betejë për pushtet. Është betejë për kufijtë e pushtetit. Sepse sot në pyetje nuk është se kush qeveris. Në pyetje është se si qeveriset. A qeveriset sipas Kushtetutës, apo sipas vullnetit të një njeriu? Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, përfundoi Hamza.

Edhe pse Bedri Hamza nuk zbuloi konkretisht se cilat do të jenë veprimet e PDK-së, një prej skenarëve që po shqyrton partia është dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e ka konfirmuar më herët deputetja Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se PDK po analizon të gjitha veprimet që mund të jenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe modalitetet që do të ndjekë dhe një prej mundësive është adresimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit zgjedhor. Seanca konstituive nisi më 6 gusht, ndërsa kryesuesi i saj, Avni Dehari, ka caktuar 9 shtatorin për vazhdimin e saj.

Kriza institucionale lidhet edhe me çështjen e ushtrimit të funksioneve ekzekutive dhe parlamentare, si dhe me procesin e konstituimit të Kuvendit, për të cilin opozita akuzon pushtetin se po zvarrit procedurat në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.

Po ashtu, procesi lidhet edhe me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për kandidatin konsensual, Bekim Sejdiu, u vu në pikëpyetje pasi gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesin.

Nëse Kuvendi nuk arrin të konstituojë institucionet dhe të zgjedhë presidentin e ri, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje, që do të ishin të katërtat në 18 muajt e fundit.