Artan Fuga: Zonja që jeton me ndihma dhe spektakli ynë mizor

Artan Fuga: Zonja që jeton me ndihma dhe spektakli ynë mizor

Këngëtarja Parashqevi Simaku

O njerëz, duhet treguar një lloj mirësjelljeje! U bënë kaq ditë që marrim nëpër gojë një zonjë, që dikur ka qenë këngëtare shumë e njohur, dhe sot del se ndodhet në një gjendje që është e vështirë për çdo njeri.

Tani, a nuk duhet bërë pak kujdes për jetën private të njeriut? Si është e mundur nuk kemi turp dhe mirësjellje të mos bëjmë publike një gjendje private të dikujt? Kërkoi gjë ndihmë ajo? Kërkoi ajo të bëni fushatë për të? E kuptoj se duke e bërë publike, rritet presioni i opinionit publik mbi donatorë të mundshëm, por a nuk mundet të bëhet kjo duke mos dhënë detaje të rënda, dhe duke mos e zhveshur krejt në publik?

Tani kemi filluar dhe i bëjmë gjyqin zonjës! Jo vetë deshi, jo harroi se nga kishte ardhur, jo se nuk pranonte të fliste shqip, jo se ëndërronte Hollivudin, jo se nuk pranonte të jepte intervista, e tërci e mërci? E ja nuk donte, po pastaj? Punë e saj! Tani pa fajësuar dikë sa herë jepet rasti nuk rrimë. Fajësimi i tjetrit na është bërë si një lloj neuroze psikatologjike e fiksuar keq.

Ne jemi për t'u kuruar, jo ajo! Se sipas kësaj, i bie që vlen të mbështetet dhe të ndihmohet në hall, vetëm ai që është i përkryer, vetëm ai që është patriot, mundësisht të dojë Shqipërinë etnike? Po pse kushtëzohet mbështetja për humanizëm? Ejjjjjjjj! Hajdeni në vete! Po ç'i kemi këto? A nuk pushojmë dot së paku me gjykime kritike, me gjyqin publik që i bëjmë? Kaq pa zemër jemi? Kaq harbutë? Kaq ziliqarë?

Bashkia e vendlindjes mos e zgjasë me deklarata. Të bëjë atë që duhet! T'i japë atë që sipas saj e meriton. Dhe t'i thotë, o zonjë ja ku e ke! Tani e do, a s'e do puna jote, ja ku e ke! Jo se po të ndihmojmë, por ta kemi borxh, e meriton! Ta gëzosh! Edhe po na shave, ja ku e ke përsëri! Ta kemi borxh!
Nuk është puna të mbështesësh, puna është të dish ta bësh fisnikërisht! Se ai që ndihmohet, në ka dinjitet, e ka pak vështirë ta pranojë si lëmoshë!

Nuk keni pse e pyesni zonja dhe zotërinj! Bëni ç'duhet! Kaq! Se ju mbetet turpi në derë! Dhe nëse bëjmë këtë, nuk ndihmojmë atë jo, por ndihmojmë veten, sepse janë mekanizma që forcojnë solidaritetin tonë, na ndërton si ngjizje kombëtare. Se përsëri gjej rastin ta them! T'i lëmë budalliqet se gjuha e përbashkët na bën komb! Harrojeni këtë ide të Stalinit. Bashkë na bëjnë aktet e përbashkëta. Ja pse duke ndihmuar atë, ndihmojmë veten! Pra, duhet ta falenderojmë përsëri!

S.B/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • I Papa: 15/12/2024 16:59

    Kur kemi gazetar si Blendi Fevziu kto ngjarje i quajn sensacion per te rritur audiencen e emisionit te tyre jane te pa shpirt

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Qeveria izraelite miraton plan për zgjerimin e vendbanimeve në Lartësitë Golan

Qeveria izraelite miraton plan për zgjerimin e vendbanimeve në Lartësitë Golan