ZAGREB, 23 dhjetor /ATSH-ANSA/ - Pothuajse një javë nga zgjedhjet presidenciale, që shihet si sfidë mes kandidates së qendrës së djathtë, ish-ministres së Jashtme, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe presidentit aktual Ivo Josipoviç, ky i fundit duket se është favorit edhe pse sipas sondazheve, presidenti i vendit ballkanik do të zgjidhet pas balotazhit të mesit të janarit.
Josipoviç mbetet favorit me 42 për qind të preferencave, por në balotazh përballja me Kitaroviçin e bën më të paqartë fituesin. Presidenti në ikje e ka shpresën në mbështetjen e partive të qendrës së majtë, ku në vend të parë gjenden socialdemokratët e kryeministrit, Zoran Milanoviç.
Mes premtimeve kryesore të Josipoviçit, me të cilat ai kërkon edhe një mandat tjetër pesëvjeçar nga zgjedhësit kroatë, janë reformat kushtetuese dhe strukturore.
Sipas tij, defekti kryesor i Kroacisë për daljen nga kriza është moskryerja e plotë dhe e shpejtë e reformave. Sfidantja e tij, Kitaroviç, që ka mbështetjen e Unionit Demokrat Kroat (HDZ), ka deri tani rreth 30 për qind të preferencave.
Të paktën 3,8 milionë zgjedhësit kroatë kanë edhe dy alternativa të tjera për postin e presidentit që janë Milan Kujunxhiç, i së djathtës ekstreme dhe populist, si edhe aktivisti social Ivan Vilibor Sincçiç, 25 vjeç.
Përqindja e preferencave për ta shkon në 10./ a.jor.










