Pranimi i shpejtë i refugjatëve në Kroaci ka nxitur debate në publike, në lidhje me atë se sa refugjatë duhet të pranojnë dhe me çfarë kushtesh. Media raporton se Kroacia do të duhet të pranojë një kuotë prej 3,200, në vend të 550 refugjatëve sa ishin paralajmëruar më parë, e cila shkaktoi reagime shtesë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve jo zyrtare, Kroacia do të duhet të pranojë 3200 refugjatë, në vend të 550 refugjatëve sa ishin paralajmëruar më parë.

Edhe pse Kryeministri kroat, Zoran Milanoviç kohët e fundit njoftoi se Kroacia është gatshme që të strehojë kuotën e caktuar nga BE-ja prej 550 refugjatësh nga Lindja e Mesme dhe se krenohet me popullin e tij, doli se Kroacia mund të detyrohet të pranojë 3.200 refugjatë, dhe nisur nga kjo filluan reagimet e disa qytetarëve dhe politikanëve në vend.

Rrjetet sociale janë shndërruar në një hapësirë ku po diskutohet kjo temë dhe komentet janë të ndryshme. Aty parashtrohen pikëpamje të ndryshme, nga qëndrimet se duhet të pranohen të gjithë refugjatët që duan të vijnë dhe pa kushte, deri tek kërkesat ksenofobike dhe frika se në mesin e refugjatëve janë infiltruar terroristë. Gjithashtu kushtëzime që të mos pranohen burrat e rritur të cilët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të luftojnë për krijimin e qeverisë demokratike, dhe qëndrimet se duhet pranuar vetëm të krishterët..., etj.

Në debatet publike janë përfshirë edhe priftërinjtë dhe udhëheqësit e kishës me thirrjet që refugjatët ti shohin si njerëz që kanë nevojë për ndihmë dhe zgjatjen e dorës së mëshirës.

Një pjesë e qytetarëve tashmë kanë filluar me aktivitete solridarizuese përmes organizatave qytetare për të mbledhur gjërat e nevojshme për refugjatët të cilët janë në kampet e refugjatëve në Serbi. Nesër mbrëma është paralajmëruar ndezja e qirinjve në qendër të qytetit për të gjithë të vdekurit në rrugën e tyre drejt Evropës.