Kronika e një sulmi të paralajmëruar

Kronika e një sulmi të paralajmëruar

Në verën e vitit 2022 Milan Radoiçiqi dërgoi një video-mesazh kërcënues nga Leposaviqi: «Këtu jam, jam kthyer, dhe ju e dini se çfarë domethënë kjo». Përkundër se thuhej që Radoiçiqi në faza të caktuara ka qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, ky padron i rrjetit kriminal në veri të vendit duket se ka lëvizur si peshku i artë në akuarium. E paqartë mbetet deri më sot përse atij iu hoq fletarrestimi nga autoritetet e Kosovës.

E qartë është se nga pushteti që gëzonte përmes Listës Serbe dhe votave që ka kontrolluar në Kuvendin e Kosovës, ai ka ndikuar në krijimin e disa qeverive të Kosovës. Kur kjo varësi e qeverive të kaluara kritikohej nga zërat publikë në Kosovë, papagajtë e pushteteve të kaluara vraponin te diplomatët perëndimorë për t’i “informuar” se komentatorë të caktuar po u shprehkan kundër bashkëjetesës.

Radoiçiqi e zgjeroi ndikimin jo vetëm në veri të Kosovës. Krijoi raporte mirëbesimi me politikanë të caktuar shqiptarë në Prishtinë. Takohej me ta. I priste e i përcillte. Hante e pinte me ta. Krejt këto kanë qenë të ditura. Kanë ndodhur para syve të shoqërisë kosovare. Janë takime të dokumentuara. Në Graçanicë, për shembull, edhe serbët lokalë tregojnë se pothuaj askush nuk mund të punësohet pa miratimin e rrjetit të Radoiçiqit. Po ashtu, ata tregojnë se shumë njerëz japin ryshfet në Komunë për leje ndërtimi (përfshirë edhe shqiptarët). Një pjesë e parave përfundojnë në xhepat e Radoiçiqit dhe bandës së tij.

I pasuruar nga paratë e krimit të organizuar, i përkrahur nga regjimi në Serbi, i avancuar në postin e nënkryetarit të Listës Serbe, e cila nuk është parti, por nëndegë për Kosovë e partisë së Aleksandar Vuçiqit, Radoiçiqi më 14 shtator kërcënoi kryeministrin e Kosovës. Në të vërtetë mesazhi i tij ishte kërcënim ndaj shtetit të Kosovës. Pastaj gjërat ecën hap pas hapi dhe në retrospektivë duket një koherencë e veprimeve të Serbisë.

Më 21 shtator Vuçiqi mbajti një fjalim të zjarrtë propagandistik kundër Perëndimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York. Toni i tij kundër shteteve perëndimore ishte edhe më i ashpër se zakonisht. Revista e djathtë zvicerane «Weltwoche», e cila është zëdhënëse e Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), e botoi online në tërësi fjalimin e Vuçiqit dhe pronari i «Weltwoche», një revizionist i historisë dhe adhurues autokratësh, e lavdëroi atë si një dokument që e zhvesh «hipokrizinë perëndimore» dhe për të satën herë nënvizoi se Zvicra paskësh gabuar që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Vetë Vuçiqi fjalimin e tij në OKB e quajti më vonë një lloj testamenti politik të tij. Në televizionin shtetëror RTS u krekos se gati krejt fjalimin e ka shkruar vetë. Në retrospektivë fjalimi i Vuçiqit tingëllon si paralajmërim i ndërhyrjes së ushtrisë serbe në Kosovë. Sepse, siç tha Vuçiqi në New York, Perëndimi paskësh shkelur të drejtën ndërkombëtare me rastin e ndërhyrjes së NATO-s më 1999.

Të shtunën, më 23 shtator, dy ditë pas fjalimit të Vuçiqit, i cili u ngjante fjalimeve të Fidel Castros e Nikita Hrushçovit në OKB, agjencia serbe e lajmeve «Tanjug» njoftonte se një kolonë e automjeteve luftarake të Ushtrisë së Serbisë sërish u pa në rrugë drejt kufirit me Kosovën. Kolonat u panë në Bllacë, Bellolin dhe Kurshumli. Një ditë më herët kolona e mjeteve të blinduara u pa mes Kralevës dhe Rashkës. A ishte rastësi ky mobilizim i ushtrisë drejt kufirit me Kosovën në prag të sulmit të bandës terroriste të Milosh Radoiçiqit? Vetëm naivët mund të besojnë në rastësi.

Vuçiqi tha të premten, më 22 shtator, se ushtria po kryente «aktivitete të rregullta» - gjë që ishte një rrenë e radhës e tij. Ushtria serbe iu afrua edhe më shumë kufirit me Kosovën, që të hynte në Kosovë pasi grupi i Radoiçiqit të provokonte një përleshje më të gjerë me forcat policore të Kosovës. Siç dihet, në natën nga 23 në 24 shtator terroristët serbë sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic dhe plagosur një tjetër.

Hapi i radhës i këtij grupi ishte në «logjikën» e një komploti terrorist të përgatitur në Serbi: banditët u futën në Manastirin e Banjskës me qëllim që ta joshnin policinë e Kosovës të sulmonin objektin kishtar, duke llogaritur se çdo viktimë civile apo ndonjë pop i rrokur nga plumbi do të mobilizonin masat nacionaliste në Serbi dhe kësisoj do të krijohej preteksti për ndërhyrjen e armatës serbe në veri të Kosovës. Grupi ishte i përgatitur për disa eventualitete, për shembull një opsion ishte kryerja e një operacioni të rrejshëm duke keqpërdorur simbolet e KFOR-it.

Që tani aksioni i policisë së Kosovës i datës 24 shtator, kur u likuiduan tre terroristë serbë dhe dhjetëra të tjerë u detyruan të iknin në drejtim të Serbisë, ka hyrë në histori si moment kthese dhe me gjasë edhe moment kur është shmangur (ndoshta përfundimisht?) ndërhyrja e armatës së Serbisë në Kosovë. Në terrenin diplomatik Vuçiqi prej muajsh po punonte që nëse i dështojnë planet për pushtimin e veriut, së paku të hapë shtegun që në veri të marrë kontrollin e plotë KFOR-i dhe të dëbohej nga atje policia e Kosovës. Për fat të keq një përkrahës për këtë plan Vuçiqi e gjeti në Tiranë, në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, regjimi i të cilit pjesërisht (sa i përket korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar) e imiton autokratin në Beograd.

Sulmi terrorist në Banjskë e ka shpalosur krejt llumin e krimit të organizuar në veri të vendit – llum që është krijuar edhe falë kontakteve biznesore e politike të krerëve të mafies serbe në veri me (para)politikanë të Kosovës. Karriera e Milan Radoiçiqit është shembull se si një cub (në serbisht: «drumski razbojnik») rekrutohet nga Serbia si kryerës i punëve të pista. I lindur në Gjakovë, ai pas luftës iku në Serbi. Në veri u kthye tek nga mesi i viteve 2000. U bë pronar i një pike karburanti, pastaj i një firme transporti, pastaj i një firme ndërtimore, që fitonte tenderë në Serbi – e edhe në Kosovë.

Kështu Milan Radoiçiq u bë mafiozi më i dashur i Aleksandar Vuçiqit. Dhe nuk mund të thuhet se Vuçiqi nuk e dinte se kush ishte ky person. Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në janar të 2018-s, Ivanoviqi ishte kundërshtar i ndarjes së Kosovës -, Radoiçiqi u përmend si urdhërdhënës potencial i këtij krimi. Vuçiqi i doli në mbrojtje dhe tha se, sipas të dhënave të autoriteteve shtetërore, Radoiçiqi nuk ka gisht në vrasjen e Ivanoviqit. Por është interesant të lexohet se si e përshkroi Vuçiqi kanakarin e tij mafioz Milan Radoiçiq: tha se ai nuk është as «shkrimtar, as piktor». Karriera e Radoiçiqit e mori teposhtën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në listë të zezë. Bashkimi Evropian nuk e bëri këtë. Dhe ky nuk është gabimi i vetëm i BE-së në raport me Kosovën.

Karriera e Milan Radoiçiqit e shpalos edhe krejt papjekurinë, verbërinë, polarizimin dhe poshtërsitë e politikës kosovare, që në kontekste të ndryshme ka lejuar të mbahet në grusht nga Milan Radoiçiqi. Kosova tash gjendet para rrënojave të politikës së vjetër dhe para sfidave me një kryeministër relativisht të ri (jo aq me përvojë, pa ekip efikas, me qeverisje të dobët në shumë fusha), të cilin çarshia parapolitike e Prishtinës herë e krahason me Hitlerin, herë me Milosheviqin. Së paku kështu vepronin deri dje. Shtypi nacionalist serb ishte shumë i lumtur që mund t’i citonte këta politikanë dhe politikane të paudhë të Kosovës. Meqë këta i kanë harxhuar krahasimet drastike, mbetet pyetja: me çka do t’i krahasojnë vrasësit e policit të Kosovës në veri?

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë