Sa i përket rezultatit: duhet të presim shpalljen e rezultatit përfundimtar që do e bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga përvoja e dimë që anketat, exit pollet etj. - nuk janë përherë të sakta. Ende nuk janë numëruar votat që kanë ardhur me postë. Janë vota kryesisht nga mërgata. Dhe janë mbi 100 mijë vota.
Por një gjë është e qartë dhe aspak befasuese: qytetarët e Kosovës janë lodhur nga zgjedhjet. Brenda 16 muajve Kosova ka votuar tri herë në nivel nacional. Plus njëherë në zgjedhje lokale, shto këtyre edhe balotazhin. I bie që qytetarët kanë qenë të ftuar pesë herë për të votuar brenda më pak se një viti e gjysmë. Këtë jo pak njerëz e kanë marrë edhe si ofendim personal. Shumë qytetarë të Kosovës kanë filluar të votojnë të premten dhe të shtunën - duke u futur në vetura dhe shkuar në Shqipëri apo gjetiu për fundjavë. Ky quhet “votim me këmbë”. Edhe kjo është një mënyrë proteste.
Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit Lëvizja Vetëvendosje arriti të plasojë me sukses rrëfimin se fajin për krizën politike i kishin partitë e tjera. Kësaj radhe ky rrëfim nuk bindi aq shumë njerëz si më 28 dhjetor. Entuziazmi te njerëzit nuk u shtua as me ndarje parash nga buxheti në prag të zgjedhjeve - një praktikë që mbetet e shëmtuar si tash, si më herët.
Ka qenë e qartë që LDK më poshtë se 13 për qind nuk bie. Tani për tani rritja duket rreth 5 për qind. Nëse mbetet kështu, është rritje e respektueshme, por jo e bujshme.
PDK dhe AAK ruajnë apo përmirësojnë minimalisht bazën e tyre elektorale. Kjo mund të quhet sukses.
Të gjithë po e shohin veten si fitues. Por pothuaj të gjitha partitë kanë marrë më pak vota se në zgjedhjet e dhjetorit.
Sa i përket fushatës: ishte një fushatë monotone. Pa pothuaj asnjë ide të re. Me përsëritje të premtimeve të dhjetorit të vitit të kaluar, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Fushata u dominua më shumë me sulme të ndërsjella personale dhe me banalitete.
Mbetet për t’u parë nëse partitë politike do të nxjerrin ndonjë mësim nga kjo situatë.
Tani për tani është e paqartë nëse partia e parë arrin të krijojë qeverinë me ndihmën e deputetëve të pakicave joserbe. E qartë është se për postin e presidentit apo presidentes duhet të ketë një marrëveshje mes partive që të sigurohet kuorumi prej 80 deputetësh. Me përjashtim të VV, asnjë parti tjetër nuk i ka votat për të propozuar një kandidat a kandidate për president. Sërish shtrohet domosdoshmëria për kompromis për një president a presidente që është i/e denjë për këtë post. Asnjë parti politike dhe asnjë politikan nuk ka arsye për eufori.
Kosova gjendet para një periudhe të pasigurt.
Së pari: në fund të korrikut supozohet se do të shpallet aktgjykimi në procesin kundër ish-krerëve të luftës për çlirimin e Kosovës. Nëse verdikti do të jetë i pafavorshëm për ta (dhe për Kosovën), mund të ketë reagime të fuqishme në vend. Për këtë kërkohet stabilitet institucional.
Së dyti: dialogu me Beogradin ka stagnuar dhe Bashkimi Europian, për fat të keq, deri më tani më shumë i ka bërë presion Kosovës se sa Serbisë. Klasa politike e Kosovës herët apo vonë duhet të gjejë një përgjigje se çfarë do të bëjë lidhur me obligimin që ka marrë mbi vete për themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Këtë barrë zor se mund ta bart një parti vetëm. Sjellja sikur kjo çështje nuk ekziston, nuk e zhduk problemin. Po vendosjes së rendit, kudo në Kosovë, pa asnjë kompromis, por jo deformim i politikës në këngë me sharki e çifteli.
Së treti: Në politikën e jashtme duhet të ketë më shumë profesionalizëm dhe realizëm. Duhet të hiqet dorë nga gënjeshtrat e trasha në stilin “me mua Kosova hyn në NATO”, “me mua Kosova integrohet në BE”. Kjo nuk është çështje personale. BE i është afruar propozimit të përbashkët të Ramës e Vuçiqit: nuk ka anëtarësim, por vetëm njëfarë integrimi në disa fusha në BE. Mund të quhet anëtarësim i klasit të tretë. Ka përfitime nga tregu i përbashkët europian. Dhe pjesëmarrje në disa mbledhje në Bruksel, por pa të drejtë vendimmarrjeje.
Së katërti: investimet në fushën e energjisë, përfshirë edhe disa kërkesa specifike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të trajtohen me seriozitet dhe me debat publik joparagjykues.
Së pesti: kushdo që bëhet kryeministër, një gjë duhet ta ketë parasysh: ekipi duhet t’i nënshtrohet llogaridhënies. Nuk mund të vegjetojnë 4 vjet ministra e ministre pa lënë gjurmë të dukshme në qeverisje. Kushdo që bëhet president, duhet ta kuptojë se Kosova nuk është republikë presidenciale dhe bashkëpunimi e koordinimi janë esenciale për suksesin e vendit.
Sëmundja e madhe e politikaneve dhe politikanëve të Kosovë është ambicia për ta prezantuar veten si të afërt me partnerët perëndimorë nëpërmjet duarshtrëngimeve nëpër korridore dhe fotografive që i kap telefoni i pamençur. Krejt këto shoqërohen me premtime të mëdha, të cilat në fund rezultojnë boshe. Politika e suksesshme bëhet me punë sistematike, me frenim total të egos dhe mbi të gjitha me profesionalizëm.
Komente




