Kronikë e një ëndrre vere e halle të tjera!

Kronikë e një ëndrre vere e halle të tjera!

Majko ishte djersitur gjithë natën. Rrobat i pikonin çurg. Vetëm në të zbardhur iu qas një gjumë si kllapi. Nuk e mori vesh tamam sa fjeti po u zgjua me gojën e tharë shkrumb. Piu me nxitim një gotë ujë por i ngjau sikur i bënte puf-puf në gojë. Mbante mend vetëm një ëndërr e cila shoqërohej me një padurim për ta rrëfyer.

Mimi di Puçini e cila i di mirë punët e robit e Zotit nuk kishte ardhur ënde! Kujt t’thoshte? Etildës? E sikur ajo të trembej e t’i thyhej zemra nga ndodhia?! Taos? Kushedi se si e merr dhe ia çon Babos si të vërtetë?! Etjeni kishte fytyrën e atij që për të kallëzuar Krishtin merrte 5 herë më lirë se Juda! U vreros. Por gjithçka e ka një fund edhe marazi. Pa nga larg Elisen së cilës i ka dalë nami që di të lexojë ëndrrat. Ia bëri me shenjë dhe ajo u afrua. Fati i ka bërë bashkë si dy kalorësit e veriut në sytë e Babos e kësisoj besimi i ndërsjellët u është rritur. Ajo pasi e pa ashtu të mufatur e të vrarë në fytyrë e pyeti çe ke këtë çehre si brazdë?

Lëre-lëre tha kam parë një ëndërr që më ka prishur terezinë. Pa hë? Ç’të them! Sikur isha në malet e Kukësit dola për gjah me çifte! Merrja të shtija sa kalonte një thëllëze kur fap me thyhej çiftja në mes dhe pas çdo kaçube me dilte Damua që me nxirrte gjuhën e zgërdhihej si lanet.

Mos ia trego njeriu i tha ajo, thyerja e çiftes nuk është ogur i mirë, tregon pasiguri dhe mos përcaktim objektivash. Mërzia e stolisi dhe më ish-Kryeministrin i cili u bë edhe më i mermertë.

Margeriti dukshëm më e relaksuar e gjumëpetal mendonte që nëse do ta namesh dikë i thua të lëshofsha Inën në shpinë e kryen punë. Ina i vërtitej Evis Kushit e po i shkaktonte mornica për çështjen e Qendrës Albanologjike e cila po i shkon si pajë Gjinos.

Kosta dhe nuri ishin e njëjta gjë. Lindita ishte kthyer dhe bashkë me të qetësia që si shkëlqim binte mbi kostumin e kollaren e re. Koha e pasigurisë dhe jetimllëkut kishte marrë fund edhe pse seanca ishte nën hyqmin e Ermos.

Habia më e madhe që kishte zbritur në sallën e Kuvendit ishte trimëria e Lulit dhe ndjekësve të tij mbi deputetet që ende janë nën hijen e Vulës. Luli dhe forca, Luli dhe trimëria çfarë binomesh që dridhin fëmijën në bark të nënës. Ndaj Tao që kur e takoi atë natë dimri sikur nuk është më i njëjti dhe ul zërin kur shqipton emrin e tij.

Ky Salianji që dreqi e merr vesh çka këto kohe fryn e shfryn ndaj kujtdo që i zë rrugën. E pritën gazetarët në shkallë e ai si namuzqar i priti dhe dukej sikur po rrihte Lulin faqet e të cilit si shollë këpucë as skuqeshin as zverdheshin.

Kryezëvendës lideri dukej i dhembshur e zëmër hapur me të lënduarit të cilëve u tha nga sot e tutje më kini mua e nuk guxon kush t’ju shohë shtrembër. Pa dy të gërvishtur Gaz Bardhin e Dash Sulen ndaj thirri Banën me mjete sanitare që t’u vinte pak fasha melhem e jod. Mond Spaho me Tritanin kishin sjellë edhe një barrelë po të lipsej.

Gazi i tha, mjeko Dashin se mua më është tharë e kam nga hera tjetër, nga beteja me Belën se ajo shejtane ka dorë të rënde dhe unë isha vetëm teksa ajo përfitonte nga lartësia e podiumit për të më gjuajtur. Nejse, tha Muli, ja ku e keni numrin tim për çdo gjë. Jorida ngjante si ana e majtë e Rozafës krejt e murosur. Luli erdhi pasi sqaroi pozicionin as i egër e as i butë, por i vendosur siç i ka hije. Nuk e ngjatëtoi askush, pos Taos me bisht të syrit. Xhelal Mziut pasi i hoqën Kamzën nga dora që hajër mos pafshin më me sy çdo gjë i duket e vogël dhe buzëqeshte pa makthe. Ulsiu këndonte nën zë ketë vjershë “Bora dhe Edona kapur dorë për dore/ Lum për ne të gjithë se janë shembullore/ veshur me të bardha gjithmonë tek vendi/ Ah sa i çmon Babua po kaq Kuvendi! Qerrata i madh Ulsiu.

Po Krifca tagjinë që ka vënë për dimër do ta shohë ta hanë dhitë e delet e saj? Çuçi ka mall për kohën kur dëgjonte zënë e bilbilit dhe aromën e tërfilit. Po këto janë punë të Babos! Nami sapo ndodhi Sajme Koreshi dhe Dash Sula i treguan munxët Lulit! Të kesh turp i thane që na ngrite pusi o faqezi!! Luli u kreshpërua, u hepua, u hakërrua, t’ju vijë rënde, ju kisha si evlatër, ju kisha xhan e me bëtë haram! Shikonte nga Gazi dhe kohën e shkuar kujtonte! Ai me kokën ulur diç mejtonte dhe nën zë paramilitar rënkonte. Pas këtij gazepi e sikleti ikën në një sallë për t’u sqaruar Luli e Agalliu Sajme e Dash sojliu. Ç’kohë solemne po jetojmë!

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbi: 08/06/2023 19:32

    Jam anetar i PD.E them me keqardhje se me Sali Berishen apo Lulzim Bashen ne krye Partia jone nuk vjen ne pushtet as ne vitin 2o30.Ju mund te dilni ne krye ose te rinj te pa perfolur.Me qendrimin e tyre,drejtuesit aktual , jane te pandreqshem.Te rinj te tipit Saiani duhen larguar nga partiA

    Përgjigju
  • Ali: 08/06/2023 15:01

    Mire thote Beni,me siper.Kam respekt per ty.Ose mba qendrim te hapur e te drejte ,ose shko e jep leksione dhe hiw dore nga politika,sa akoma Berisha nuk te ka pshurr ne koke.

    Përgjigju
  • Ali: 08/06/2023 14:58

    Me vjen keq qe virusi i berishizmit ka hyre edhe tek ju.Luftoje kete virus,qe te ruaj respektin per ju.

    Përgjigju
  • Beni: 08/06/2023 14:08

    Merru me hallet e Partise Demokratike,e mos i qaj hallet kaloresit pse i varen kembet.Shkruaj si te permiresohet PD,si te largojme Saliun qe po ju pshurr ne koke te gjitheve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës