Kronologjia e mandateve të një parlamenti të pazakontë, nga 140 deputetë, 68 s’e mbaruan mandatin! 18 karrige mbetën bosh deri në fund

Në historinë e pluralizmit, legjislatura e 9 e parlamentit shqiptar, e mbyllur në 7 korrik, do të ketë një vend të veçantë. Shumë mandate u lanë pa përfunduar, e për herë të parë, 68 deputetë nuk arritën ta çonin deri në fund 4-vjecarin në parlament, sipas një raporti të publikuar edhe nga vetë Kuvendi.

Nga 65 deputetë të PD, LSI dhe PDIU, vetëm  Myslym Murrizi, Rudina Hajdari, Lefter Koka, Robert Bitri dhe Reme Lala e çuan deri në fund mandatin e tyre, ndërsa të tjerët e braktisën duke krijuar një vakum në jetën parlamentare. Por shumë shpejt u zëvendësuan. Njëri pas tjetrit, të gjendurit fare rastësisht në vendet e fundit të listave të Bashës, Kryemadhit e Idrizit u ulën në karriget e tyre në parlament.

Zëvendësime të bujshme qenë shumë prej tyre. Lulzim Basha u zëvendësua nga Majlinda Halilaj, e ashtuquajtura deputetja e ‘kërporatave’, Sali Berisha nga Kostaq Papa, Monika Kryemadhi nga Suzana Topi, Kujtim Gjuzi zëvendësoi Oerd Bylykbashin, ndërsa Selami Jenihsheri i mori vendin doktorit Halim Kosova, e Adriatik Alimadhi vendin e Agron Shehajt.

Pavarësisht zëvendësimeve të shpejta, 18 mandate mbetën deri në fund vakanca të paplotësuara. Karriget e Aldo Bumçit, Andon Frrokaj, Bardh Spahisë, Dashamir Shehit, Edi Palokës, Endri Hasës, Enkelejd Alibeajt, Florion Mimos, Genc Pollos, Isuf Celajt, Lindita Metaliajt, lorenc Lukës, Luan Baçit, Luciano Bocit, Nard Ndokës, Vangjel Dules, Xhemal Gjunkshit mbetën bosh deri në seancën e fundit plenare të 7 korrikut të 2021.

Edhe mandati i Jorida Tabakut mbeti vakancë, pasi ndonëse fillimisht u mor nga Indrit Hoxha, ky i fundit nuk pranoi të bënte betimin.  Por djegia e mandatit nuk qe e vetmja arsye përse deputetët e legjislaturës së nisur në 2017 të mos e përfundonin atë. Ligji i dekriminalizimit i hoqi të drejtën e të qenit deputet dy prej përfaqësuesve të opozitës në parlament, Gledion Rahovicës të LSI, i zëvendësuar fillimisht nga Silva Caka dhe Aqif Rakipit të PDIU, i zëvendësuar nga Dritan Bici.

Edhe nga mazhoranca, 7 prej deputetëve nuk e çuan dot deri në fund mandatin. Nën hetim për trafik droge, më 3 mars 2018, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dha dorëheqjen për tu për përballur me drejtësinë si qytetar i thjeshtë. Vendin e tij në parlament e zuri Spartak Braho. Flamur Golemi, Ilir Xhakolli, Nuri Belba, Pjerin Ndreu dhe Rakip Suli hoqën dorë po ashtu nga mandati i deputetit për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 2019, e për t’u zgjedhur kryebashkiakë.

I fundit deputet, që nuk mundi ta përfundonte mandatin, ndonëse jo me vullnetin e tij, ishte Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta më 29 mars të këtij viti për shkak të koronavirus. Vendin e tij, e zuri Gentiana Cakrani në 25 maj. Zëvendësimet sollën  edhe një ndryshim në raportin meshkuj-femra në parlament. Nëse në nisje të legjislaturës, në parlament kishte 39 gra dhe 101 burra, ndërsa në fund të saj 38 gra dhe 84 burra.

Për shkak të një 4-vjeçari të pazakontë, detyra e parë e parlamentit të ri mbetet kthimi në shina i tempullit të ligjvënësve. Më pas, deklaratat për ndryshime të rëndësishme ligjore e kushtetuese do të duhet të përkthehen në propozime konkrete për të çuar para reforma të rëndësishme.

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Like: 13/08/2021 17:37

    Mbase duhet pare dhe numri I tepert i deputeteve per numer popullsie, ke shtete me mbi 65 milione banore dhe kane nga 550 deputet kurse Shqiperia 140 per 3 milione banore. Ose mbase ka kaq shume sepse eshte shtet i pasur me drogat qe e mbjellin majtas djathtas

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?