Kush jua solli kërkesën për të kandiduar në Tiranë, pikërisht në një zonë aq të vështirë, ku kandidonte për deputet dhe presidenti Ramiz Alia?
Ishin zgjedhjet e para pluraliste. Kandidimi im për deputet në këto zgjedhje nuk ishte planifikuar, aq më tepër që të vihesha përballë udhëheqësit të fundit komunist. U desh vetëm propozimi i një shokut tim, Genc Myftiu dhe PD vendosi që emri im të vihej përballë atij të Ramiz Alisë. Unë jo vetëm që nuk kundërshtova, por e doja këtë përballje. Natyrisht që pata dhe presione. Disa herë më thanë të tërhiqesha. Por më e bukura ishte kur spiunët e Sigurimit të Shtetit të asaj kohe kërkonin të më shtynin që të shaja Ramiz Alinë. Unë njerëzve të tillë u thashë: "Shkoni zhdukuni". Unë kam kurajon që i kam dalë ballë për ballë dhe nuk kam për t'u tërhequr kurrë, nuk bie në
nivelin tuaj. Nëse keni dëshirë për ta sharë bëjeni vetë sat ë doni. Dhe kështu unë bëra një fushatë intelektuale dhe dinjitoze, pa sharje dhe pa fyerje. Më 24 mars, disa ditë para zgjedhjeve unë zhvillova një miting të madh tek shkolla 'Partizani'. Në të njëjtin orar dhe rivali im në garë, Ramiz Alia zhvillonte takimin e tij elektoral te 'Shkolla e Kuqe". Sheshi i 'Partizanit' ishte mbushur plot. Më kujtohet se disa spiunë më kërkuan që unë të shtyja orarin e takimit sepse në këtë orë ish dhe takimi i Ramiz Alisë. Por unë i thashë se nuk e shtyj asnjë sekondë dhe keshtu dy mitingjet u bënë në të njejtin orar.
Po pse në 249 zona zgjedhore dhe jo në 250 sa ishte përcaktuar në ndarjen zgjedhore…?
Përpara se të më bëhej oferta për kandidat për deputet, kisha takuar në Qytetin Studenti Gramoz Pashkon, pasi s'kishte shumë kohë që ishte themeluar PD, dhe më thotë që në zgjedhje PD do të kandidonte në 249 zona zgjedhore. I them se pse s'do të kandidonim në 250 zona. Ai s'mu pergjigj duke më lënë të kuptoj se nuk donin të vinin kandidatura në zonën e Ramiz Alisë. Vendimi është marrë nga PD, pas rrëzimit të bustit të Enverit. Problemi ishte i ndryshëm nga ai i vitit 1992, e veçanerisht nga i tanishmi, pasi asokohe problem ishte se përballjes nuk i diheshin pasojat, ndersa sot I dihen perfitimet. Me sa duket ky qenka rregulli i demokracisë në Shqipëri, që nuk e kam ditur dhe as që më ka shkuar ndërmënd në atë kohë. Unë edhe pse mora pjesë në Lëvizjen e Dhjetorit, dhe në zhvillimet e mëvonshme, s'isha e s'kam qënë anëtarësuar në asnjë parti, ashtu siç s'kam qenë anëtarësuar në Partinë e Punës gjatë gjithë jetës sime, edhe pse kam pasur kërkesa.
Regjimi ishte në këmbë asokohe dhe PPSH dominonte jetën politike në vend, aq më tepër që kishit përballë kreun e saj, Ramiz Alia. Patët frikë?
Duke qënë se kam punuar në punë të vështira, nuk pata frikë nga kandidimi. Unë kam punuar në minierë dhe e kam parë me sy vdekjen shumë herë, pavarësisht se kërcënimet që gjithmonë i kam pasur, për shkak të natyres time reaguese. Kupohet gjithkush mendon për familjen, dhe unë si të gjithë të tjerët mendoja për bashkëshorten dhe fëmijët. Por isha i vendosur për këtë sfidë. Vinin spiunë e provokatorë e më thonin të shaj Ramizin, të cilëve ju kam thënë shajeni ju, sepse unë i kam dalë përballë. Kandidova në siglën e PD dhe pse nuk isha anëtar i saj. Vinin shumë njerëz të Ramizit të më thonin se duhej të tërhiqesha, por ia pata bërë të qartë se pa ma qendisur një yll të kuq në ballë, s'do të tërhiqesha. Këtë gjë ua kishin thënë dhe miqve të mi, që indirekt me thonin të tërhiqesha nga gara, të cilët u thonin këtyre sejmenëve të Ramizit se Franko nuk lëviz prapa, ndaj s'kemi çfarë i bëjmë.
Si e organizuat fushatën elektorale, kush ka qënë përkrah jush?
Bëja takime me grupe të vogla të lagjes. Ndihmë e madhe për mua ka qënë Njazi Kosovrasti me disa mbështetës të tjerë, me të cilët jam takuar gjithnjë para mitingut e pas tij. Mitingu u mbajt me datën 24 mars. Kishim vendosur shpalljet për këtë gjithandej nëpër lagje e kudo në Tiranë. Mitingun unë do ta mbaja në shkollën Partizani, ndërsa Ramizi po atë ditë dhe po në të njëjtën orë kishte organizuar mitingun e tij në Shkollën e Kuqe. Pavarësisht se kasha përgatitur një fjalim, para qytetarëve fola pa letër. Në miting më shoqëruan
Arben Imami dhe Tritan Shehu.
Gjatë kontakteve me njerëzit kishit shpresë se do të fitonit…?
Unë kisha nuhatur nga takimet në grupe të vogla me banorët e lagjes dhe në miting se ajo lagje nuk donte t'ia jepte votën Ramiz Alisë. Nga ana ime isha i vendosur ta çoja deri në fund sfidën përballë Ramiz Alisë. Në miting sulmova regjimin komunist dhe akuzova Enver Hoxhën. Ramiz Alinë s'kisha pse ta etiketoja apo sulmoja, sepse e kisha përballë dhe isha në betejë me të, ku ai kisht eskortën, pushtetin dhe spiunët, pavarësisht se s'ishin aq aktivë si më parë, ndërsa unë kisha mbështetjen e banorëve të lagjes dhe zemërimin e tyre ndaj regjimit komunist.
Gjatë fushatës u takuat me kryetarin e PD, Sali Berisha?
E takova disa ditë para 31 marsit. Më tha se do të fitojmë dhe në zonën 218, që ishte zona ime dhe kaq.
Menduat ndonjëherë se do ta fitonit atë zonë që ishte bastion i PPSH?
Për mua, e ritheksoj, rëndësi kishte përballja. Por shpresa për fitore ndaj Ramiz Alisë më erdhi në momentin kur pashë gjithë ata njerëz në mbështetjen time gjatë takimeve në grupe dhe veçanërisht në atë miting. Në miting morën pjesë shumë njerëz me entuziazëm të madh, ndërsa në takimin e Ramiz Alisë s'kishin qenë shumë njerëz. Por gjatë gjithë fushatës, nuk mungonin të më vinin persona të ndryshëm, sigurisht të dërguar prej Ramizit të më bënin presione. Mbështetësit e tij kërkonim të më dekurajonin kur më thonin se pavarësisht vlerësimit që kishin për mua, madje dëshironin të më jepnin votën, dëshira e tyre ishte që Ramiz Alia të jetë President i vendit. Unë u thashë atë kohë se nëse i fiton zgjedhjet PPSH, Ramizi bëhet president, pavarësisht dëshirës sime, por nëse fiton zgjedhjet PD, atëherë ai s'ka shans që të jetë në krye të shtetit. Por kishte dhe nga ata që e quanin të sigurtëhumbjen time përballë Ramiz Alisë, për arësyet që thashë më sipër, pasi atë e shihnin si president të vendit, nga të dyja palët.
U takuat gjatë fushatës përballë ndonjëherë me udhëheqësin e fundit komunist?
Ramizi s'ishte burrë për t'u përballur vetëm për vetëm. Zona ku fitova unë ishte zona elektorale 218, ku ndodhej e ashtuquajtura "Shtëpia e Partisë" dhe ku historikisht vendosin kandidaturën Enver Hoxha e më pas Ramiz Alia. Por herën e fundit Ramiz Alia mori rreth 34% të votave, ndërsa unë fitova 62 përqind, gati dyfishin e votave që mori Sekretari i Parë i PPSH. Në mesnatë erdhën shokë e miq në shtëpi dhe më lajmëruan se kisha fituar. Unë
atëhere jetoja me familjen time prej shtatë anëtarësh në një shtëpi shumë të vogël. Shkuam në zonë dhe më priten me duartrokitje të forta.
Kur e morët vesh që kishit fituar?
Rezultatin e kam marrë vesh goxha shpejt. Në të gdhirë të 1 prillit, rreth orës 02:00 të mëngjesit, troket në derë Ramazan Driza, një activist I PD, i cili më tha që të dalim e të takojmë miqtë, se ke fituar përballë Ramiz Alisë. Kisha fituar rreth 62 për qind të votave, ndërsa Ramiz Alia kishte marrë 34 për qind, pjesën tjetër e morën partitë e vogla.
Dhe si u prit fitorja juaj përballë Ramiz Alisë?
Kur u dha rezultati për fitoren time të thellë, nuk kishte shumë entuziazëm në radhët e PD, ndoshta sepse humbi Ramiz Alia. Por me sa duket fitoi kurajoja ime.
Këtë fitore kujt ia dedikoni?
Banorët e lagjes meritonin falenderimin e parë, pasi pavarësisht se kishin votuar për vite me radhë përdhunshëm Enver Hoxhën e Ramiz Alinë, vendosën të më votonin mua. Ramiz Alia solli në atë zone të votonin ushtarët, por edhe ata nuk votuan për të me sa duket. Mbështetja e vendosur e këtyre banorëve kurajozë bënë që unë të fitoja përballë Ramiz Alisë në atë kohë të vështirë. Asokohe një risi ka qënë dhe vota e rinisë, mes të cilëve dhe Lulzim Basha, pasi ai atë vit votoi për here të parë dhe më ka votuar mua. Dhe besimin që më dhanë banorët e asaj zone më 31 mars, nuk e kam shpërdoruar. Për zgjedhjet e 22 marsit 1992, që dihej se do të fitonte PD, banorët e asaj lagjeje më kerkuan të rikandidoja, por varej nga PD. Unë deklarova se nëse nuk kandidoj sërish në këtë zonë, nuk do të rikandidoj më. Ky ishte një pakt me banorët, të cilin unë e kam respektuar.
Ju besoj i keni qëndruar besnik këtij pakti, pasi nuk ishit në listë…?
I kam qëndruar strikt paktit. Më 22 mars 1992 PD nuk më kandidoi aty, pasi preferoi të kandidonte Dashamir Shehin. Edhe pse Berisha më kishte bërë ofertë që të kandidoja në Laç, nuk pranova, jo se aty nuk fitohej, por për shkak të paktit me banorët e lagjes që më nderoi. Atëherë më përfshinë në listë dola përsëri më 22 mars 1992 deputet. Kam qëndruar vetëm një muaj deputet, aq sa për të qenë në krye të komisionit që zgjodhi Sali Berishën president. Më pas më bënë zëvëndësministër. Në këtë post qëndrova rreth dy vite, pasi më dërguan ambasador në Kroaci, edhe pse s'kisha lidhje fare me këtë profesion. Me sa duket më kaluan në diplomacy vetëm për të më pasur sa më larg, pasi po e shihja qartë tendencat korruptive në Ministrinë e Minierave dhe mund të sillja probleme.
Rikthehemi te zgjedhjet. Pas fitores u takuat ndonjëherë me Ramiz Alinë?
Ditë më vonë, ndërsa unë po pija kafe në një cep të kafenesë në Kuvend, Ramiz Alia e Xhelil Gjoni pinin kafe në anën tjeter. Xhelili i foli diçka
në vesh Ramizit dhe ai ktheu kokën nga unë. Unë e pashë drejt në sy por ai menjëherë i uli sytë përtokë. Pastaj më pa sërsish dhe sërish u shmang duke ulur sytë. Unë u përshëndeta me Xhelilin, pasi kishte qenë sekretar i parë i komitetit të partisë në Peshkopi, kur punoja në Bulqizë dhe ai kishte ardhur disa herë. Mendova se patjetër Xhelili do t'i thotë se kush isha unë, prandaj prisja që Ramizi të kthente kokën nga unë. Pra, një moment e ktheu kokën dhe u pamë sy ndër sy, por ai nuk përshëndeti dhe uli sytë. E njëjta gjë ndodhi edhe një herë tjetër, ai përseri uli sytë e ktheu kokën mënjanë. Pra ai s'pati kurajon prej burri që të më jepte një shenjë, se donte të më takonte apo uronte etj, shkurt tip tinzari. Nuk pati as guximin të më takonte dhe të më uronte për fitoren. Ja ky ishte Ramiz Alia.
A ju janë propozuar poste të rëndësishme drejtuese?
Kur Partia Demokraike fitoi zgjedhjet dhe bashkë me to dhe të drejtën të qeveriste vendin, mua më propozuan të bëhesha ministër i Industrisë dhe Minierave. Atëhere unë pyeta nëse kishte një candidature tjetër përveç asaj times. Më thanë se ishte dhe e Abdyl Xhajës, por thonin se do isha unë, pasi isha profesionist. Unë refuzova duke deklaruar se nuk kam luftuar për poste.
Keni pasur probleme në punën tuaj si zv/ministër?
Mbi të gjitha gjatë punës si zv/ ministër nuk u kam hapur rrugën disa të huajve që kërkonin të bënin ligjin, për interesat e tyre. Konkretisht ata ishin disa specialistë apo pseudospecialistë, që kishin ardhur nën logon e BERZH dhe kërkonin që ata të vendosnin se cila firmë e huaj do ta merrte industrinë e bakrit e veçanërisht ate të kromit' gjë që unë nuk mund ta pranoja. Ata u ankuan te kryeministri Meksi për mua. Ai më thirri në Qeveri dhe kërkoi shpjegime.
Pas kësaj erdhi shkarkimi juaj nga posti i zv.ministrit?
Më shkarkuan nga zv.ministër dhe më emëruan ambasador në Kroaci. Presidenti i asaj kohe Sali Berisha, më thirri para dekretimit dhe më tha: Unë të njoh, ti meriton më tepër, por shko njëherë në Kroaci. Unë radhë dakord dhe ika, sepse kuptova që Berisha ishte nën trysni
dhe se unë duhej të largohesha nga ky post. Unë jam ambasadori i pare që çeli ambasadën shqiptare në Kroaci e cila sapo ishte ndarë nga Jugosllavia e atëhershme. Qëndrova ambasador për tre vite dhe më pas nuk jam marrr më me politikë.
Pas kaq vitesh, çfarë ju prek më shumë?
Kam indinjuar kur një gazetar televizioni, vite më parë në situatën parazgjedhore foli për fenomenin 'Kroqi' duke e shoqëruar me fjalët se 'Fitoi me Ramiz Alinë një inxhinier i panjohur, madje s'njihet as në profesionin e tij'. Kjo është fyerje, sepse në profesionin tim unë kam qenë dhe jam shumë i njohur, por gazetarët nuk më njohin sepse unë kam punuar në nëntokë dhe ata nuk futen atje, bile edhe kur futën nuk janë në gjëndje të kuptojnë asgjë, të kuptojnë se ç'eshte bërë mirë dhe ç'eshtë bërë keq, por janë në gjendje të broçkullojnë.
(aq/shqiptarja.com)