PRISHTINË, 29 Janar/ATSH/.- Nuk ka postblloqe në qendrën e skijimit Brezovica.Këtë e ka thënë për "KosovaPress", nënkryetari i komunës së Shtërpcës, Nikolla Krstiç.
Ai ka thënë se qytetarët të cilët e shfrytëzojnë parkun për skijim janë të detyruar të paguajnë vetëm parkingun.
"Ka informacione të gabuara. Nuk ka postblloqe, por qytetarët duhet të paguajnë vetëm parkingun, kjo për shkak se komuna kujdeset për heqjen e borës, ndërsa pagesa të tjera nuk ka", ka thënë Krstiç, përmes telefonit.
Informacioni se është vendosur bllokada në Brezovicë ishte njoftuar nga ish ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi. Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", ai ka thënë se është rikthyer postblloku ilegal në shtigjet e skijimit në Brezovicë.
Gashi ka njoftuar se me këtë veprim po plaçkiten qytetarët, ndërsa ka rikujtuar se parku është pronë e Kosovës.
Ai po ashtu e ka kritikuar Qeverinë e cila sipas tij, po tregohet e pa aftë karshi Jabllanoviqit./m.m/