SHBA - Një punëtor i një kruaziere është arrestuar në Florida pasi përdhunoi dhe rrahu një pasagjere amerikane gjatë udhëtimit. Jo vetëm kaq, por punëtori 28-vjeçar nga Indonezia u përpoq ta hidhte të dhunuarën në det.

Sipas Daily Mail, punëtori e sulmoi 28-vjeçaren pasi ajo e ofendoi kur ai u përpoq t'i ofronte vaktin e mëngjesit ditën e Shën Valentinit. Sipas deklaratave që bëri për FBI-në, punëtori përdori një çelës për të hyrë në dhomën e turistes gjatë natës. Ai priti në ballkon deri sa ajo të kthehej në dhomë dhe pastaj e goditi në kokë me laptop.

indonezian
(Foto: Punëtori i arrestuar)

Indoneziani u përpoq ta mbyste atë me një shufër hekuri, por ajo mundi të largohej prej tij duke e goditur në organet gjenitale. Sapo shpëtoi, vrapoi drejt korridorit të anijes ku dhe i kërkoi ndihmë miqve të saj. Këta të fundit e gjetën turisten të mbuluar nga gjaku. Ata lajmëruan menjëherë policinë. Gjatë deklaratës së tij, i arrestuari konfirmoi se donte ta hidhte gruan në det gjatë kohës që anija ishte në Honduras.

Kruaziera ku ndodhi ky incident ishte në një udhëtim 8 ditor që do të përshkonte vende ekzotike si Xhamajka, Bahamas dhe Hondurasi. Ajo u largua nga porti i Floridas më 9 shkurt dhe të gjithë pasagjerët ishin nudo.

Kompania turistike i pohoi gazetës Daily Mail se nuk ka patur ndonjëherë të kaluar kriminale apo ngjarje të tilla.

"Ne vazhdojmë të punojmë me autoritetet për të kuptuar si ndodhi ky incident dhe të sigurohemi që ngjarje të tilla të mos përsëriten", tha në një deklaratë kompania.


(v.gj/shqiptarja.com)