KRUJE- Fshati Adriatik i Komunës Fushë-Kuqe në rrethin e Krujës është përmbytur nga reshjet e shiut. Përmbytja ka shkatuar dëme të mëdha në tokat bujqësore pasi brenda pak orëve janë mbuluar nga uji qindra hektarë tokë bujqësore, të cilat ishin të mbjella dhe që tani janë shkatërruar plotësisht.

Dëm i madh është shkaktuar edhe me bagëtitë të cilat janë izoluar mes ujit dhe disa prej tyre kanë ngordhur. Shumë prej shtëpive janë përmbytur dhe ndodhen në mes të ujit.

Banorët e fshatit janë të shqetësuar dhe kërkojnë ndihmë për zgjidhjen e situatës pasi ndihen të rrezikuar. Shkak për përmbytjet është bërë bllokimi i hidrovorit, i cili është jashtë funksionit dhe i bllokuar prej kohësh.

Mungesa e dritave në këtë fshat ka bërë që hidrovori të jetë plotësisht jashtë funksionit duke shkaktuar përmbytje në këtë fshat.

Të gjitha ujërat që vijnë nga Laçi dhe Mamurrasi nuk menaxhohen nga kolektori duke shkaktuar këtë situatë alarmante për fshatin Adriatik.
(eç/shqiptarja.com)