Në mars të këtij viti, Bujar Sefa u dënua në mungesë me 12 vite e 9 muaj burg për trafik kokaine dhe kanabisi në Itali, por kjo nuk e pengoi atë që të vinte në Shqipëri e madje të vijonte me të njëjtin aktivitet kriminal.

Në banesën e tij në fshatin Nojë të Krujës, Policia gjeti një ditë më parë 145 kilogramë kanabis, gati për shitje, dhe municion luftarak, por megjithatë sërish i riu ka mundur t'i shpëtojë prangave.

Sefa u shpall në kërkim, ndërsa në pranga ra kryeplaku i fshatit, Haxhi Murati, 66 vjeç, i cili bashkëpunoi me 34-vjeçarin në kultivimin e kanabisit.

Operacioni u zhvillua nga strukturat e policisë Durrës dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-së.

Murati akuzohet për veprat penale "Shpërdorim detyre" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", ndërsa Sefa për "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Armëmbajtje pa leje".

Bujar Sefa ishte koka e një grupi të trafikut të kokainës dhe kanabisit në Itali, pjesë e së cilës ishin edhe dy vëllezërit e tij, Islam dhe Jetmir Sefa. Pasi prisnin kokainën nga Holanda, ata koordinonin shpërndarjen në Itali, konkretisht në zonën e Venecias dhe Mestra. Më pas Islam Sefa dhe Jetmir Sefa, merreshin me shpërndarjen e drogës tek shitësit e vegjël dhe mblidhnin paratë.  Gjykata dënoi në mungesë Bujar Sefën dhe konfiskoi e pasurinë me vlerë 346 mijë euro. Ndërkohë, vëllai tjetër i 34-vjeçarit, Hajdar Sefa është arrestuar si pjesë e bandës së grabitësve 'Babagjyshët'. 

Droga e sekuestruar

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:29
U shpall sot në kërkim nga policia e Krujës, Bujar Sefa i dënuar për drogë në Itali, furnizonte tregun me kokainë nga Holanda e kanabis nga Shqipëria

Bujar Sefa (Xaka) i cili është shpallur në kërkim për kultivm kanabisi, në kuadër të operacionit ‘Noja’ në Krujë, është një emër i njohur për drejtësinë italiane. Sefa është dënuar në Itali, me 12 vjet e 9 muaj dhe i janë konfirskuar një pasuri me vlerë deri në 346 mijë euro. Sipas akuzës, ai ishte drejtuesi dhe organizatori i një grupi trafikantësh dhe tregtarësh të drogës në Itali. Në bashkëpunim me vëllezërit e tij, Sefa organizonte punën dhe shpërndante drogë nga Holanda në Itali. Ai është në kërkim edhe nga autoritetet italiane. Të dënuar për drogë edhe 2 vëllezërit e tij, Islam dhe Jetmir Sefa. Islam Sefa u dënua me 9 vjet e 9 muaj burg dhe Jetmir Sefa, vëllai tjetër i Bujar Sefës, u dënuan me 5 vjet e 4 muaj burg. Ndërkohë, vëllai i tij tjetër, Hajdar Sefa, është arrestuar si pjesë e bandës së grabitësve 'Babagjyshat'.