LAÇ - Dy ditë pas masakrës së trefishtë në Thumanë të Krujës, babai i tre vëllezërve Kora, të cilët mesnatën e së premtes ekzekutuan me breshëri automatiku Fran Çeku, djalin e tij Arben Çeku dhe nipin e tyre Eno Rama në Thumanë e ka marrë përsipër vetë autorësinë e krimit.

Vetëm pak orë pasi policia vendosi 10 mijë euro shpërblim për këdo që kishte informacion për pjesëtarët e familjes Kora, në prangat e policisë ka rënë kryefamiljari i cili u arrestua nga policia e Kurbinit teksa lëvizte me makinë në lagjen numër katër të qytetit të Laçit.

“Kam qëlluar me automatik dhe pistoletë ndaj pjesëtarëve të familjes Çeku dhe djemtë e mi nuk kanë qenë në vendngjarje”- mësohet të ketë thënë para hetuesve Kora në ambientet e policisë së Fushkë Krujës ku është dorëzuar nga policia e Kurbinit. 

Por nisur nga dinamika e ngjarjes, hetuesit e hedhin poshtë versionin e Gurali Korës së është ai autori i vetëm i ngjarjes.

Tashmë policia ka fokusuar vëmendjen në kapjen e tre bijve të tij, Besnik, Daniel e Pëllumb Kora, duke u përqëndruar te këta dy të fundit që nga hetimet e para rezulton se kanë qenë ata që kanë nxjerrë edhe armët, pistoletë e kallashnikov, duke hapur zjarr mbi 4 anëtarët e familjes Çeku duke lënë tre të vdekur dhe një të plagosur. 

Policia e Qarkut të Durrësit ditën e djeshme ka vendosur 10.000 Euro shpërblim për çdo informacion që do të çonte në kapjen e 4 autorëve që masakruan mbrëmjen e së premtes 3 anëtarë të një familjeje në Thumanë të Krujës. Por përveç shumës së parave, dhjetra efektivë policie janë angazhuar në kontrolle në zonat përreth ku mendohet se janë fshehur 3 anëtarët e familjes Kora, ndërsa ditën e vrasjes kanë qenë rreth 200 efektivë të angazhuar për kapjen e tyre.

Viktimat e vrasjes së trefishtë në Thuman
(Viktimat e vrasjes së trefishtë në Thumanë, Eno Rama, Arben Çeku, Fran Çeku)

Ngjarja e rendë mbrëmjen e së premtes në Thumanë të Krujës i ka fillesat rreth një muaj më parë ku dy prej vëllezërve Kora kanë rrahur një shofer, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, shok me viktimën Arben Çeku.

44-vjeçari Çeku i kthyer vetëm një javë më parë nga Italia ka takuar në një lokal anëtarët e familjes Kora për të sqaruar ngjarjen, por debati ka degjeneruar në një konflikt fizik mes tyre dhe pas kësaj palët janë ndarë.
 
Por ndërsa 44-vjeçari është bashkuar me familjen e tij në banesë, 4 anëtarët e familjes Kora kanë marrë armët e zjarrit dhe kanë ekzekutuar dhe kanë shkuar në banesën e Arben Çekut duke e kërkuar të dalë jashtë për sqarim. Sapo ky i fundit ka dalë jashtë, në oborrin e shtëpisë së tij, mbi të kanë vërshuar një lum plumbash duke e lënë të pajetë. Pas tij kanë dalë edhe anëtarët e tjerë të familjes Ceka dhe nipi i tyre, por autorët nuk kanë pasur aspak mëshirë për ta duke i ekzekutuar edhe ata, duke lënë të plagosur vetëm 66-vjeçaren. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)