KRUJE - Gjykata e Krujës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për tetarin Adem Hasani i akuzuar për vjedhje dhe shpërdorim detyre, në çështjen e 12 mijë kallëpeve tritol mangët nga depot ushtarake të ruajtjes së municioneve në fshatin Noj të Malësisë së Krujës.
 
Vendimi është marrë sot në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krujës. Gjatë seancës vetë ushtaraku Hasani si dhe avokati i tij mbrojtës nuk e ka pranuar akuzën në fjalë. Televizioni A1 Report, sjell fotot e tetart Adem Hasani në seancën gjyqësore. 
 
Ndërkaq, në një prononcim për televizionin A1 Report pas mbarimit të seancës gjyqësore, Hasani, babai i 5 fëmijëve, dhe pa precedentë penalë,  ka mohuar akuzat, duke theksuar se koha do ta provojë të vërtetën e vjedhjes së tritolit nga depo e magazinës ushtarake.

adem hasani
 
Avokati: Hasani i pafajshëm, mund të jetë vjedhur në 1997
Nga ana tjetër, i të njëjtit mendim ka qenë edhe avokati i Hasanit, Ilir Kurti, i cili për kamerën e televizionit A1 Report, u shpreh se ka kërkuar nga gjykata të vendosë masë më të lehtë për klientin e tij. Kjo pasi sipas Kurtit, tetar Hasani është një njeri i rregullt dhe i punësuar që më 1996.
 
Madje sipas avokatit mbrojtës nuk përjashtohet mundësia edhe e vjedhjes së tritolit gjatë trazirave të 1997. Në këtë kontekst ai ka mohuar akuzat ndaj klientit të tij.
 
"Kërkova që gjykata të vendoste masë më të lehtë. Adem Hasani është familjar dhe njeri i rregullt. Hasani e ka marrë detyrën në 1996. Gjykata të marrë parasysh faktet e ’97. Në 1997, nga depo e ushtrisë nuk u humbën armë. Klienti im nuk ka lidhje me vjedhjen e tritolit pasi ka procedura. Tritoli mund të jetë vjedhur në trazirat e 1997." u shpreh avokati Ilir Kurti

adem hasani

Ekskluzive/ Prokuroria: Vjedhja e tritolit, dyshohet dhe për 6 bashkëpunëtorë
Vjedhja e 12 mijë kallëpeve, ose rreth 2.4 ton tritol u denoncua nga Ministria e Mbrojtjes ndërsa menjëherë u vu në lëvizje edhe Prokuroria e cila nga hetimet e kryera akuzoi ushtarakun Adem Hasani.
 
Madje jo vetëm kaq, por sipas organit të akuzës, dyshohet se në vjedhjen e tritolit të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë. A1 Report siguroi edhe materialin e Prokurorisë referuar gjykatës së Krujës, ku kërkohet vlerësimi i masës së sigurisë arrest me burg për tetarin Adem Hasani i cili sipas akuzës është përgjegjës për vjedhjes, prodhimin dhe mbajtjen e armatimeve luftarake si dhe shpërdorimit të detyrës. Ekskluzive/ Akuza: Ka bashkëpunëtorë
 
Gjithashtu burime për A1 Report kanë bërë të ditur se Hasani  prej 18 vitesh ka kryer i vetëm inventarin e depove ushtarake ku në të shumtën e rasteve ka rezultuar se ato ishin inventar fiktiv, për tu zbuluar më pas nga një urdhër e Ministres së Mbrojties Mimi Kodheli e cila ka kërkuar inventar me grup ushtarakësh për çdo depo në pronësi të ushtrisë. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)