Kryebashkiaku i Bulqizës Melaim Damzi e cilëson si aksidentale ngjarjen në shkollën e mesme në Shupenzë ditën e sotme. Megjithatë ai thotë se mban përgjegjësi të plotë për atë që ndodhi dhe konkluzionet që do të nxjerrin hetimet. Damzi shpjegon se pardje u bë testimi i kaldajës pa nxënësit dhe ishte në rregull, ndërsa pas ndezjes sot në orën 07:00 u bllokua oxhaku.

Për kryebashkiakun situata aktualisht është vendosur në kontroll. “Mbaj të gjitha përgjegjësitë. Pardje u bë testimi i kaldajës pa nxënësit në shkollë dhe gjithçka rezultoi se ishte në rregull. Sot kaldaja u ndez në orën 07:00, ndërsa u bllokua oxhaku. Ngritëm emergjencat civile të bashkisë, ndërsa situata në shkollë është vendosur në kontroll” deklaroi ai.

VIDEO/ Intervista e plotë e kryetarit të bashkisë Melaim Damzi, përgjegjësia mbi ne

Intervista e plotë e kryetarit të bashkisë Melaim Damzi 
Cfraë konkluzioni nxirrni si kryetar bashkie?

Në radhë të parë jam si kryetar bashkie për të marrë të gjitha përgjegjësitë tona për sipër. Kryesorja është që nuk pati pasoja të rënda, situata është vendosur në kontroll. Ne shkuam dhe ngritëm grupin e emergjencave, erdhi edhe policia dhe filluan veprimet. Unë edhe si prind edhe si mjek, kam qenë në dispozicion të punës në ndihmë të mjekëve.

Nëse nxënësit nuk do të kishin qëndruar më shumë në shkollë, do të kishte ndodhur kjo?
Normalisht po të ishin nxjerrë më parë nxënësit nuk do të kishte ndodhur. Kjo është ngjarje aksidentale. Pardje u bë testimi dhe ka funksionuar, edhe dje në darkë ka funksionuar, ndërsa sot sikur duket është bllokuar oxhaku, që ka sjellë edhe pasoja të tjera.

Nxënësit thanë se kanë gjetur ambientin e tymosur?
Kaldaja ndizet në orën 07:00 që kur të vijnë fëmijët ambienti të jetë në rregull të jetë ngrohur. Ajo është një kaldajë moderne, ka zero ndikim në ambient dhe mjedis, është ngjarje aksidentale, policia dhe prokuroria do të nxjerrë shkaqet dhe ne do të mbajmë përgjegjësitë tona nëse do të jetë të nevojshme ato që mund të jenë tonat.

Ka ardhur nga bllokimi i oxhakut?
Absolutisht po! Unë tani po kthehem, pasi fëmijët janë stabilizuar. Pastaj shkova dhe u vendos në funksion kaldaja dhe funksionon shumë mirë, pasi u bë lirimi i oxhakut.

Qëndrim zyrtar i kryetarit të Bashkisë Bulqizë
Në cilësinë e kyetarit të Bashkisë Bulqizë, dua t’ju bëj me dije se ngjarja e ndodhur ditën e sotme në Gjimnazin e Shupenzës, ishte tërësisht aksidentale. Kjo pasi sistemi i ngrohjes, para dy ditësh i’u nënshtrua një “testimi” nga punonjësit kompetent me njohje të plotë teknike mbi pajisjet, dhe rezultoi tërësisht funksional dhe brenda parametrave teknikë të kërkuar.

Duke shprehur padyshim gjithë sensibilizmin dhe solidarizimin me ngjarjen e ndodhur, dua t’ju them se kam qenë gjithë kohës pranë ngjarjes së ndodhur. Mbetem në kontakt të vazhdueshëm me stafin mjekësor, të cilët gjej rastin ti falenderoj për profesionalizmin dhe humanizmin që treguan në ngjarjen e sotme.

Jam koherent me ecurinë e situatës shëndetësore të nxënësve. Aktualisht, situata është vënë nën kontroll të plotë, dhe sistemi i ngrohjes është funksional brenda standarteve.

Jam këtu si njeri, si mjek, si prind, dhe në fund si kryetar Bashkie për të shprehur edhe njëherë solidarizmin me situatën. Lutemi që incidente të tilla të mos përsëriten më, dhe fëmijët të gëzojnë shëndet të plotë.

Deputetja e PS, Almira Xhembulla vizion nxënësit
E pranishme në spital për t’u interesuar për gjendjen e nxënësve ishte dhe deputetja e PS, Almira Xhembulla  e cila deklaroi se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut.

Sapo arrita dhe vizitova nxënësit. Shyqyr situata është e qetë, fëmijët kanë marrë shërbimin e duhur. Tani janë 20 nxënës që po marrin mjekim. Ishte situatë shqetësuese, masat u morën në kohë. Ishte një incident dhe shpresoj që gjithçka të zgjidhet. Për fat të keq nuk e shmangëm në kohë, por nuk patëm situatë më të rënduar”. 

dy.b/shqiptarja.com