Fushata politike në Shqipëri në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit, ka nisur edhe pse jo 'zyrtarisht', por një rast i pazakontë është shënuar pasditen e djeshme ku kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krali siç duket edhe nga fotoja e publikuar, ka zgjedhur të marrë rolin e ‘imamit’ teksa ka mbajtur fjalim brenda xhamisë së re të hapur në Synej.

Krali shihet me mikrofon në dorë ndërsa u drejtohet besimtarëve mes të cilëve shihet i ulur edhe deputeti i PS, Etjen Xhafaj i cili së fundmi shoqëron Kralin gjatë takimeve të tij me qytetarët në Kavajë ku edhe ka marrë mandatin si ligjvënës.

Kryebashkiaku mbajti edhe fjalën e tij, teksa uroi besimtarët për nisjen e muajit të Ramazanit.

“Selam Alejkum të gjithëve, iu falënderoj për ftesën, nuk do zgjatem dhe shumë, ju uroj për muajin e madhërishëm për muajin e sakrificave, Allahu ua mundësoftë dhe ua pranoftë”- tha Krajli.

Por pa hyrë në detaje të tjera të cilat duhen zbatuar sipas fesë siç është marrja e abdesit para hyrjes në xhami, ajo çfarë bën përshtypje është fakti se është totalisht e ndaluar që institucionet fetare të kthehen në salla mbledhjesh për cilëndo parti politike.

Redjan Krali me njërin prej imamëve të xhamisë në Kavajë dhe me rreth të kuq Etjen Xhafaj

Kujtojmë se që prej janarit të këtij viti, KQZ njoftoi nisjen e monitorimit për të ndaluar promovimin e investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike duke e konsideruar si veprimtari politike zgjedhore. Sipas KQZ-së pjesëmarrja e punonjësve të administratës brenda orarit zyrtar të punës në këtë lloj veprimtarie konsiderohet shkelje e dispozitave të Kodit Zgjedhor.