Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi “Çelësin e Qytetit” Shkëlqesisë së Tij, Mons. Vincenzo Paglia, President i Akademisë Papnore të Vatikanit dhe një ndër themeluesit e këshilltar shpirtëror i Komunitetit të Sant'Egidio, me veprimtari humanitare anembanë botës.
Lajmi u bë i njohur nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen për rolin dhe kontributin e Mons.Vincenzo Paglia në shërbim të njerëzve në nevojë. “Jam shumë i lumtur që për një personalitet shumë të dashur për qytetin tonë dhe për vendin tonë, një personalitet i Kishës Katolike dhe një shërbëtor të Perëndisë për gjithë ato gjëra që na bashkojnë, t’i dhuroj Monsinjor Paglias “Çelësin e Qytetit të Tiranës”, në shenjë mirënjohje nga të gjithë qytetarët e Tiranës për kontributin e tij dhe të komunitetit të tij”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë vlerësoi ndihmën që Mons. Paglia dhe Komuniteti i Sant'Egidio dhanë për Tiranën në vitet e vështira pas viteve ‘90, për të bashkuar forcat tona politike dhe për të kuptuar që ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që ndajnë. “Edhe sot mbas 30 vitesh kontribut, si themelues i Sant'Egidio-s, ai është i pranishëm këtu, po merret me kurën paliative duke ndihmuar të gjithë ata qytetarë në nevojë, që në qytetin e Tiranës trajtohen nga komuniteti në ditët më të vështira të sëmundjes apo të rehabilitimit të tyre. Por, edhe në vitet e errëta të 1997 dhe 1998, kur si përfaqësuesi i Sant'Egidio-s, synonte të bashkonte forcat tona politike për të kuptuar që ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se sa gjëra që na ndajnë”, deklaroi Veliaj.
Shkëlqesisë së Tij Mons. Vincenzo Paglia falenderoi kryebashkiakun Veliaj për “Çelësin e Qytetit”, teksa shprehu konsideratat për Tiranën si një qytet që është rritur me maturi. Mons. Paglia theksoi se sot Tirana është një qytet që mund të shohë Italinë si një “motër” për t’u përballur me sfidat e Mesdheut e të Evropës së madhe.
“Dua të falenderoj shumë kryebashkiakun për këtë gjest familjarm, për dhënien e “Çelësit të Qytetit”. Unë e kam njohur Tiranën në vitin 1991, një qytet me shumë probleme, por me shumë shpresa. Por pas pothuajse 30 vitesh, është një qytet që është rritur, që ka kaluar në këtë shekull të ri me maturi dhe me një mençuri të madhe, dhe dua të them që sot Tirana është një qytet që mund ta shohë Italinë si një “motër”, të përballet me sfidat e Mesdheut e të Evropës së madhe. Por, kur vëllezërit dhe motrat gjenden së bashku, e ardhmja e sigurt është më e mirë dhe do të jetë më paqësore”, u shpreh Mons. Vincenzo Paglia.