Pak ditë më parë, në një artikull në Shqiptarja.com është pasqyruar padia e ngritur nga shteti shqiptar kundër Kryegjyshatës Botërore, lidhur me saktësinë ligjore të procesit, me anë të të cilit kjo e fundit ka përfituar një pronë të patundshme në Jug të vendit. Në respekt të normës gazetareske të pasqyrimit të qendrimit të të gjitha palëve, iu drejtuam me disa pyetje lidhur me këtë problem Sekretarit të Përgjithshëm të Kryegjyshatës, zotit Syrja Xhelaj, i cili dha këtë intervistë. 

I nderuar z.Xhelaj, në gazetën Shqiptarja.com, në numrin e datës 09.02.2018, është botuar një artikull me titull “Shteti akuzon Kryegjyshatën: Falsifikoi firma për 37 ha tokë”. Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, a mund të na thoni se cili është qendrimi juaj në lidhje me këtë shkrim?

Artikulli ka bërë një amplifikim të pretendimeve të mbajtura nga përfaqësuesi i Avokaturës së Shtetit, pretendime, të cilat ngrihen në lidhje me parregullsitë e procedurës së njohjes dhe kthimit të një sipërfaqeje në pronësi të Kryegjyshatës nga KKKP-ja Vlorë. Ajo që dua të sqaroj, është fakti se këto pretendime janë duke u shqyrtuar nga Gjykata, janë pjesë e një hetimi gjyqësor dhe nuk mund të aludohet mbi bazueshmërinë e tyre, përpara se të shprehet Gjykata. Fatkeqësisht, ashtu siç ndodh rëndom, përpara se Gjykata të shprehet, këto pretendime ekspozohen si të vërteta, duke cenuar në rastin konkret imazhin e Institucionit tonë. Kur, në vitin 1990, Ramiz Alia thoshte se pronarët do t’i sorollatim dyerve të Gjykatave, ai sigurisht nuk ishte profet, por e dinte se pjellat e atij sistemi me punët e shejtanit do të merreshin.

Ju thoni se akuzat e ngritura nga Avokatura e Shtetit janë të pavërteta?

Ajo që dua të them, është që, së pari, nuk ka akuza, pasi akuzat kanë karakter penal, por pretendime, të cilat duhet të provohen gjyqësisht. Ndërkohë, dua të sqaroj se vërtetimi i zotnimit i vitit 1927, i cili pretendohet nga Avokatura e Shtetit se është i falsifikuar, i është nënshtruar ekspertizës nga specialistë të Laboratorit të Kriminalistikës që në vitin 2010 dhe ka rezultuar autentik, i pafalsifikuar. Pas këtij hetimi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Pra, nuk ka asnjë dokument të falsifikuar. Të drejtat e pronësisë së Kryegjyshatës janë vërtetuar edhe në dokumentacionin arkivor.  Arkivi Shtetëror vendor Gjirokastër ka konfirmuar faktin se, ndër të tjera, “Teqeja e Zallit Gjirokastër”, nëpërmjet Baba Ibrahimit, ka denoncuar pronat e Teqesë dhe se Vërtetim Zotnimi Tapi i vitit 1927, lëshuar nga zyra e Kadastrës së ish-Nënprefekturës Delvinë, nuk rezulton që të jetë e rreme.

Në kushtet kur ju pretendoni se keni të gjithë dokumentacionin ligjor, atëhere a mund të na shpjegoni se pse jeni sot në gjyq?

Gjyqi që po zhvillohet sot ndaj Kryegjyshatës është një gjyq kundër të drejtës së saj legjitime të pronësisë. Ka një vendim të KKKP-së, që na ka njohur të drejtën e pronësisë dhe sot, pas më shumë se 10 vjetësh, në tejkalim të të gjitha afateve ligjore, Avokatura e Shtetit kërkon të shfuqizojë një akt, i cili ka dalë nga një organ quasi-gjyqësor, pra, nga një organ, vendimet e të cilit kanë të njejtat efekte, si të ishin vendime gjyqësore. Ne gjykojmë që procesi gjyqësor ndaj nesh është investuar nga persona, që kanë qenë më parë pjesë e pozitës, që kanë patur interesa për të grabitur pasuritë e Kryegjyshatës, por sot ky proces ka mbetur thjesht një rudiment i kësaj përpjekjeje të dështuar. Bregdeti i Sarandës është një Parajsë e Zotit, por dhe e politikës, sepse, sa herë ka zgjedhje, atje shkohet dhe u thuhet “tokë-xanëve” se do t’i gëzoni shtëpitë dhe bahçet, ju na jepni votat, se pronarët i mbajmë ne gjygjeve. E njejta gjë po ndodh edhe me pronën tonë në Berdenesh. Ndërkaq, më vjen shumë keq për qendrimet e qeverive shqiptare për pronat tona që nga viti 2009, pasi ata e kanë të qartë si drita e diellit se jemi i vetmi komunitet tradicional fetar në Shqipëri, që vijojmë të zhvillohemi pa asnjë ndihmë monetare nga jashtë.

s.k/Shqiptarja.com