Gjatë bashkëbisedimit Tushaj, teksa e cilësoi si të vështirë situatën, garantoi fermerët se me qasjen e re edhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e bujqësisë, por edhe me angazhimin e tij të plotë si kryetar i ardhshëm i bashkisë, do të jetë i mundur shpëtimi i këtij sektori, i cili do të mund të prodhojë mirëqenien e munguar për banorët e zonës dhe jo vetëm.
“Ne jemi zgjidhja e duhur që në të ardhmen numri i fermerëve të rritet. Me qasjen e qeverisë shqiptare sektori i bujqësisë do të marrë zhvillim dhe do të prodhojë mirëqenien e munguar për qytetarët. Me mbështetjen e qeverisë dhe deputetëve të Qarkut Lezhë projektet tona për sektorin e bujqësisë do të realizohen. Ne duhet të investojmë në kapacitetet njerëzore dhe në fushat e malet tona në mënyrë të integruar. Të punojmë që t’u japim mundësi brezave pasardhës që të punojnë më mirë”, - u shpreh Viktor Tushaj.
Në mbështetje të kandidatit Viktor Tushaj ishte edhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, sipassë cilës sektori i bujqësisë është dëmtuar shumë në këto vite tranzicioni, kjo për shkak të keqmenaxhimit, copëtimit të pronës dhe shkaqeve të tjera objektive.
“Lezha mundet dhe duhet të mbështetet në sektorin e bujqësisë, si një ndër burimet kryesore të zhvillimit ekonomik të këtij rrethi. Bujqësia në këto vite tranzicioni është dëmtuar së tepërmi për shkak të keqmenaxhimit. Është për të ardhur keq që asnjë pushtet nuk ka mundur të bëjë asgjë në përmirësimin e situatës. Është momenti i duhur dhe i vetmi për të besuar se qeveria Rama e ka seriozisht kur flet për zhvillimin e bujqësisë. Në respekt tuaj që jeni njerëz të punës besojini një njeriu që është po aq i punës sa ju, Viktor Tushaj”, - deklaroi ndër të tjerash Kodheli.
Ndërkohë, vetë fermerët gjatë bashkëbisedimit ngritën edhe një herë shqetësimet e tyre, siç janë mungesa e një sistemi vaditës, problemet me kanalet kulluese, mungesa e një vendi grumbullimi apo përpunimi, si dhe mungesa e një tregu, të cilat jo vetëm e vështirësojnë punën e tyre, por shpeshherë e çojnë në faliment të gjithë prodhimin.
Tushaj takim me banorët e Torovicës
Gjatë një takimi të zhvilluar me banorët e fshatit të Torovicës nga kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për kryetar të Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj, teksa ka sjellë eksperienca të punës së tij në këtë zonë, tha se dikur Torovica ishte një hambar prodhimi, e ndërsa sot lëngon si pasojë e mungesës së funksionimit të mekanizmave të duhur. Gjithashtu, z. Tushaj ka kërkuar mbështetjen e banorëve si një mundësi sipas tij për të sjellë vëmendjen e qeverisë shqiptare e për të rritur mirëqenien e tyre.
“Shërbimet në Torovicë janë më të varfra se në qytet, por me reformën territoriale kjo do të ndryshojë. Ju garantoj që me mbështetjen e qeverisë dhe tuajën ne do të mund të hartojmë projekte që do të rrisin mirëqenien tuaj”, - tha Viktor Tushaj, ndërsa deputeti Gjovalin Kadeli theksoi se: “Torovica me bashkinë e re do të jetë një lagje qyteti ku do të jetë e mundur dhe zhvillimi i sigurt i saj”.
Të pranishëm në këtë takim ishin Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deputetët Monika Kryemadhi, Gjovalin Kadeli dhe Arben Ndoka, të cilët e cilësuan kandidatin Tushaj, si alternativën më të mirë që do të ndryshojë gjendjen e varfërisë dhe pasigurisë që ka pllakosur këtë zonë.
“Besoj tek forca e një zotërie si Viktori për vetë menaxhimin e duhur që i ka bërë Lezhës në këto 8 vite”, - tha ministrja Mimi Kodheli.
Ndërsa, deputetja Monika Kryemadhi u shpreh se ndërtimi i rrugës së Torovicës do të jetë një nga projektet e para pas zgjedhjeve dhe Lezha ka nevojë për një njeri me vizion si Viktor Tushaj: “Garantoj banorët e zonës së Torovicës se rruga kryesore do të përfundojë brenda 2016-ës. Kërkojmë mbështetjen tuaj, sepse Lezha ka nevojë për një njeri me vizion si Viktor Tushaj, ju keni nevojë për punë dhe cilësi më të mirë jetese ndaj është koha për të bërë zgjidhjen e duhur”, - tha znj. Kryemadhi.
Kjo zonë megjithëse është cilësuar më herët si bastion i të djathtëve, në më shumë se 20 vite asgjë nuk është bërë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre. Pakënaqësinë e tyre ata e shprehin me tone të ashpra, duke kërkuar tashmë një tjetër alternativë, që t’i nxjerrë nga bataku ku kanë përfunduar.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)