Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka publikuar një video në ‘Facebook’, ku akuzon kryeministrin Edi Rama. Kryemadhi shkruan se videoja tregon se si Rama po përgatit grabitjen dhe tjetërsimin e pronës së shqiptarëve, jo vetëm në qendër të Tiranës, por edhe në rrethinat e saj.

Sipas kryetares së LSI, makutëria e kryeministrit nuk njeh më asnjë kufi ligjor dhe moral, ndërsa sulmon edhe policinë, kur shton se në mënyrë arbitrare uniformat blu janë në krah të grabitësve të pronës së familjeve shqiptare.

Video më poshtë tregon qartë se si kryeministri po përgatit grabitjen dhe tjetërsimin e pronës së shqiptarëve, jo vetëm në qendër të Tiranës, por edhe në rrethinat e saj. Makutëria e tij nuk njeh më asnjë kufi ligjor dhe moral! Në mënyrë arbitrare policia është në krah të grabitësve të pronës së familjeve shqiptare, që e kanë blerë atë në përputhje me ligjet në fuqi.

Ende pa hyrë në fuqi ligji, sejmenët e Edi Ramës po i turren pronave dhe shtëpive të shqiptarëve duke vjedhur ç’të mundin. Ngjarja flagrante e shënuar sot në Kashar është vetëm fillimi i një procesi që Edi Rama e ka projektuar dhe ka nisur t’a zbatojë që nga Teatri Kombëtar e më tutje.

Kjo monstër politike që nuk njeh më asnjë kufi në vjedhje dhe grabitje duhet ndalur në mënyrë urgjente! Papërgjegjshmëria dhe perversiteti i tij, jo vetëm politik, prej kohësh po shkatërron, jo vetëm çdo normë, ligj e moral, por tashmë po gllabëron edhe pronat e ligjshme të shqiptarëve. Ky është momenti kur shqiptarët duhet të ngrihen dhe ndalojnë dorën e këtij satrapi, të cilin nuk e ndal dot as drejtësia e komanduar nga ai vetë.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI