Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi i është drejtuar sot me një pyetje kryeministrit Edi Rama për inceneratorët. Sipas saj Rama duhet t’i përgjigjet shkurt një pyetjeje, nëse 3 inceneratorët dhe Klodian Zoto janë referuar në prokurori për evazion fiskal.

“Një pyetje shkurt që duhet t’i përgjigjet KM: A i ka referuar Qeveria Shqiptare 3 inceneratorët dhe Klodian Zoton në prokurori për evazion fiskal? E meritojnë shqiptarët kaq transparencë z. KM. Përgjigju publikisht nëse mundesh…meqenëse lufton krimin financiar dhe të dhemb kaq shumë”, shkruan Kryemadhi.

Opozita prej kohësh ka ngritur një sërë akuzash drejtuar qeverisë për çështjen e inceneratorëve, duke pretenduar se kjo është skemë korruptimve e qeverisë, ku janë vjedhur miliona euro. SPAK në kuadër të hetimeve për inceneratorët ka arrestuar ish-ministrin Lefter Koka dhe ish deputetin Alqi Bllako, të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale sa i takon inceneratorit të Elbasanit dhe atij në Fier.

Kujtojmë se hetuesit kanë arritur të faktojnë nga provat e deritanishme, se ish-ministri Koka ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe nga inceneratori i Fierit, në një vlerë prej 1.2 milionë euro, pra në total sipas SPAK, rreth 5 milionë euro nga të 2 inceneratorët. Për çështjen e inceneratorëve është në burg edhe ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.