Rindërtimi/ Rama: Të koordinohen ndihmat e donatorëve, na keni ofruar më shumë shkolla se sa na duhen

TIRANË -  Kryeministri Edi Rama siguroi para ambasadorëve se për procesin e rindërtimit do të ketë raporte të vazhdueshme që do japin mundësi të gjithëve (përfshirë donatorët, qytetarët, mediat e opozitën) të informohen për mënyrën se si do shpenzohen fondet për rindërtim.

Ashtu siç u vendos në mbledhjen e qeverisë, mbledhja e Komitetit Shtetëror të Rindërtimit, ishin të pranishëm donatorët më të mëdhenj që në konferencën e Brukselit organizuar nga Komisioni Evropian mblodhën 1.15 ndihma për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019. Kryeministri Edi Rama në prani të ambasadores amerikane Yuri Kim, kryediplomatit të BE-së, Luigi Soreca, përfaqësuesve të qeverisë turke dhe vendeve o organizatave që dhanë fonde për Shqipërinë, tha se puna duhet koordinuar mes vetë donatorëve që të planifikojnë se si do të konkretizohen ndihmat në terren, pasi siç tha ai, "kontributet për shkollat janë më shumë se ç'ne kemi nevojë".

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca tha se nuk ka nevojë për strukturë të re bashkërendimi, pasi BE ka formatin e partnerëve të bashkëpunimit dhe zhvillimit, dhe kjo duhet të funksionojë sipas tij "për t'u siguruar që të mos ketë mbivendosje, ose mospërkime mes premtimeve dhe kontributeve në praktikë". 

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Yuri Kim tha se SHBA-të ofrojnë ndihmë teknike që donacionet të shpenzohen në mënyrën e duhur.

Kryeministri Edi Rama tha se shtëpitë e reja individuale duhet të jenë të ndërtuara jo më vonë se ky vit. Ndërkohë, një kohë më e gjatë do të merret për apartamentet dhe komunitetet urbane.

"Dështimi është diçka që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin e rindërtimit, dhe suksesi duhet të jetë fjala duke shpresuar që BE do të jetë më i shpejtë për të dhënë rezultate më shpejt. Njerëzit nuk mund të presin gjatë", tha Rama.

Në këtë drejtim, të nevojësh për të nisur sa më shpejtë nga rindërtimi, kryediplomati i BE-së, Luigi Soreca e quajti këtë një sfidë, tha se 15mln eurot e para të dhuruara nga BE për rindërtimin do të përdoren shumë shpejt. Ai shtoi se BE do të ketë strukturë ekspertësh në Komitetin Shtetëror të rindërtimit. "Ju po na sfidoni si BE dhe ne na pëlqen kjo gjë", theksoi Soreca.

Ministri i qeverisë turke, tha se drejt fundit të këtij muaji autoritetet turke do të vijnë në Shqipëri për t'u interesuar për procedurat e tenderimit për të nisur nga rindërtimi, ndoshta në fund të muajit mars.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:52
Rama propozon raporte permanente për transparencë ndaj donatorëve, qytetarëve...dhe opozitës

Kryeministri Rama siguroi se do të ketë raporte permanente për transparencë ndaj donatorëve, mediave, qytetarëve dhe opozitës.

"Dua të ndaj me ju diçka që ta merrni me vete dhe shpresoj të bini dakord. Mbështetur në përvojën me Bankën Botërore, PNUD, dhe ekspertë të BE në shkrimin e raporteve të vlerësimit të dëmeve pas fatkeqësisë, që më kanë bërë krenarë t'i kalonim bashkë këto raporte, se ishin shumë bindëse për audiencën. Duhet ta bëjmë realitet që ky komision të prezantojë një raport dhe do të ishte mirë nëse ekspertët tuaj do të ishin pjesë e këtij procesi, raportin që do të garantojë informim të plotë dhe transparencë të plotë për çdokënd që përfaqësoni ju. Një raport që të bëhej në herë në 2 javë 3 jave, një herë në muaj, dhe të bëhet një analizë e shpenzimeve në momentin kur të nisin shpenzimet. Në anglisht dhe në shqip, dhe të ndahet në faqen e internetit të rindërtimit, për të parë vetë planet me sytë e tyre, tipologjitë e ndryshme të shtëpive e shkollave që do të ndërtohen. Të shohin zhvillimin përmes videove. Gazetarë, qytetarë, akademikë, sigurisht edhe opozita, të kenë mundësinë të përditësohen në kohë reale. Duam të përcaktojmë formatin e raportit edhe afatet kohore. Mendoj se do të ishte mirë për të gjitha ju, si donatorë, që kanë dhënë kontribute, do të ishte mirë të merrnin raporte permanente për rindërtimin. Sepse është e rëndësishme për të parë vetë se cili është kontributi i tyre dhe jam i sigurt të shikonin që jemi të gatshëm për transparencë deri në fund", tha kryeministri Edi Rama.  

Ora 12:43
Yuri Kim: Ofrojmë ndihmë teknike që donacionet të shpenzohen në mënyrën e duhur

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, tha se SHBA do ofrojë ndihmë teknike që donacionet të shpenzohen në mënyrën e duhur.

"Është kënaqësi që shohim që po organizoheni brenda vetit për një proces transparentë. Do të ofrojmë ndihmën teknike për tu siguruar që donacionet nga vende të ndryshme, përfshi edhe tonat, do të shpenzohen në mënyrë të duhur në shërbim të qytetarëve shqiptarë", tha ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Ora 12:35
Soreca: Kemi strukturë koordinuese për kontributet e ndërkombëtarëve, ekspertë monitorues për rindërtimin

Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca, tha se 15 mln eurot e para të dhuruara nga BE për rindërtimin do të përdoren shumë shpejt, duke shtuar se do të ketëe ekspertë monitorues për rindërtimin.

"Të mos harrojmë datën 17 shkurt dhe në fakt slogani është i njëjtë, së bashku për Shqipërinë. Është dëshmuar një kujdes i jashtëzakonshëm ndaj këtij vendi ku ne shërbejmë. Ne duhet të ecim përpara tani. Jemi krenar që kemi marrë përsipër organizimin për konferencën, na janë dashur shumë përpjekje, megjithatë pritshmëritë tona u tejkaluan nga rezultatet. Pas disa ditësh organizimesh jemi të gatshëm të vijojmë me fazën pasardhëse. Kemi diskutuar me ministrin e Rindërtimit për t'u siguruar që jo vetëm të jemi të shpejtë në rezultate, por dhe efektivë. Kjo është një mundësi e re për Shqipërinë. Fakti që shtohet përtej rindërtimit në vetvete, e bën rolin e BE edhe më të rëndësishëm për shkak se jeni në rrugën drejt integrimit. Ne e ndjejmë që kemi një detyrim për të ndihmuar dhe për të këshilluar. Për ta bërë këtë ne duhet të jemi pjesëmarrës në këtë proces, por gjithashtu edhe me skuadrën që do ta drejtojë këtë program, duke filluar me ministrin, që të sigurohemi që të gjitha përpjekjet e bëra do të shpaguhen dhe të gjitha proceset do të bëhen në mënyrë llogaridhënëse dhe transparente. Ne jemi në pikën që falë bashkëpunimit me PNUD që këto 15 milionë të mund të përdoren shumë shpejt, dhe presim fundin e kësaj jave të japim rezultatet e para. Është e rëndësishme të jemi të gjithë së bashku. Kemi diskutuar me partnerët ndërkombëtarë që të koordinohemi me ju dhe ndërmjet vetes, ndërmjet nesh.

Nuk është nevoja për një strukturë të re, Ne kemi formatin e partnerëve të bashkëpunimit dhe zhvillimit, dhe kjo duhet të funksionojë për tu siguruar që të mos ketë mbivendosje, ose mospërkimeve mes premtimeve dhe kontributeve në praktikë. 

Ju po na sfidoni si BE dhe ne na pëlqen kjo gjë. Na pëlqen oferta e ministrit Ahmetaj për pjesëmarrje në strukturën e rindërtimit, dhe do të kemi strukturë ekspertësh në komitetin shtetëror të ndërtimit. 

Po ka afate kohore që duhen realizuar, megjithatë ne punojmë ditë e natë për t'u siguruar që gjërat të funksionojnë", tha ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca. 

Ora 12:31
Rama: Ndihmat ndërkombëtare të bëhen bashkë, kontributet për shkollat, më shumë se sa na duhen

"Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë, jemi përpjekur të kuptojmë se si është ndërtuar suksesi apo të kuptojmë përse ka ndodhur dështimi. Për ne kjo është përvoja e parë. Gjëja më e mirë për të bërë ishte të kërkonim ndihmën tuaj, sepse ju do të duhet të garantoni palët tuaj, por po kështu edhe pse mund të sillni këtu mjaft njohur, falë ekspertizës që keni ndërtuar përgjatë viteve në vendet tuaja.

Të gjithë ju erdhët në Bruksel me zemrën plot, e premtuam shumë gjëra të mira. Sfida aktualisht është që të gjitha këto kontribute të bëhen bashkë. Sepse nëse do të llogarisim kontributet për shkollat janë më shumë seç ne kemi nevojë. Na duhet të sigurohemi që kemi atë që duhet, që pjesa tjetër të shkojë diku tjetër. Është shumë e rëndësishme të vendoset bashkarish.

Nuk dua thjesht që paratë e tatim-paguesve tuaj, apo e kontribuuesve tuaj kur bëhet fjalë për organizatat të shpenzohen drejt, por dua përmes këtij komiteti, të garantoj që edhe paratë e tatimpaguesve shqiptarë të shpenzohen në mënyrën e duhur", tha Rama.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë