Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nga konferenca tradicionale për shtyp dhënë në mediat greke në kuadrin e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, është pyetur edhe për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri i cili ndodhet në burg prej 12 majit për blerje votash. Mediet greke raportojnë se Mitsotakis ka kërkuar që Beleri të betohet, qoftë edhe nga qelia, duke theksuar se heqja e kësaj mundësie do të shkaktojë probleme në marrëdhëniet mes dy vendeve. 

"Më shqetëson fakti jo vetëm i burgut, por që edhe sot Shqipëria i mohon të drejtën për t'u betuar një kryetar bashkie. Këtë ia kam raportuar udhëheqjes së Shqipërisë dhe nuk ndërhyj në drejtësinë shqiptare, por kjo është shkelje e shtetit ligjor dhe krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe që do të kenë implikime më të gjera në përpjekjen e Shqipërisë për t'iu afruar BE-së".

Ai deklaroi se nuk të ndalojë së ngrituri këtë çështje në BE dhe përballë kryeministrit Edi Rama.

“Nuk do të ndalem së ngrituri këtë çështje në nivel europian dhe vetë Ramës”, tha zoti Mitsotakis.

Kjo çështje sipas kryeministrit grek përmbys progresin e arritur në marrëdhënien mes dy vendeve.

“Çështja i lë në hije marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe përmbys progresin që kishim arritur". 

Mitsotakis thotë se nuk ndërhyn në çështjet e drejtësisë shqiptare, por nuk tërhiqet as nga qëndrimi se Greqia do të bëhet pengesë e Shqipërisë për në BE.

"Unë nuk ndërhyj në gjykimin e drejtësisë shqiptare, do të ishte shumë e vështirë dhe e pahijshme nga ana ime ta bëja këtë, por heqja e mundësisë së Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie, edhe me statusin e personit të paraburgosur, përbën sipas mendimit tonë, shkelje të qartë të rregullave të shtetit ligjor, krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe mendoj se do të ketë pasoja më të gjera nëse kjo politikë vazhdon gjatë përpjekjeve të Shqipërisë për t’iu afruar familjes evropiane"

Vetëm disa ditë më parë Beleri u vizitua nga ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, i cili kërkoi që të betohet, qoftë edhe në burg. Fredi Beleri dhe anëtari i shtabit të tij Pandeli Kokoveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit pasi ofruan para për votat e qytetarëve. Në dosje thuhet Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Kokaveshi ofronin 50 euro për votë, ndërsa ata u arrestuan duke dhënë paratë. Fituesi i zgjedhjeve për Bashkinë Himarë, ka bërë 2 kërkesa për leje të veçantë që mundësohet betimi si kryebashkiak, por burgjet kanë refuzuar. Aktualisht ai ndodhet në burgun e Durrësit.