Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka deklaruar se mikpritja e negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nesër përfaqëson një “moment krenarie jo vetëm për Pakistanin, por për gjithë botën myslimane”.
Në një fjalim drejtuar kombit, të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, Sharif tha se “kjo fazë e bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është vendimtare për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm”. Në këtë kontekst, shtoi kryeministri, “dua të falënderoj udhëheqjen e vendit tonë mik, Iranin, dhe të SHBA-ve që pranuan propozimin tim dhe ranë dakord jo vetëm për një armëpushim të përkohshëm, por edhe, me ftesën time, të vijnë në Islamabad për të negociuar paqen”.
Gjatë këtij momenti delikat dhe “vendimtar”, udhëheqja e Pakistanit ka bindur si Teheranin, ashtu edhe Uashingtonin të pranojnë një armëpushim “në mënyrë shumë të kujdesshme, por të sigurt”, theksoi Sharif. Me këtë rast, kryeministri vlerësoi ministrin e Jashtëm, Ishaq Dar, dhe ekipin e tij për “punën ditë e natë”, si dhe shefin e forcave të armatosura, Asim Munir, për “përpjekjet e palodhura që kanë ndihmuar në shuarjen e flakëve të luftës dhe në bindjen e palëve në konflikt për të dialoguar”.
Në fund, kryeministri theksoi se, edhe pse është arritur një armëpushim i përkohshëm, arritja e paqes afatgjatë përmes dialogut do të përbëjë një “fazë të vështirë”.
Lajmi kryesor:
Kryeparlamentari iranian: Të ndalen sulmet ndaj Libanit dhe të zhbllokohen asetet e Iranit përpara nisjes së negociatave! Trump: Nëse dështojnë, do të përdorim armë më të fuqishme










