Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka takuar drejtorin e ARRSH, Ami Kozelin për marrjen e masave për lirimin e brezit të sigurisë në akset rrugore, duke qenë se javën e ardhshme do të nisë aksioni për lirimin e hapësirave në anë të rrugëve kombëtare dhe krijimin e korridoreve të gjelbra.
Hita theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të përmbushur këtë detyrë dhe kërkoi nga Departamenti i Sigurisë që strukturat e tij të jenë në mbështetje të plotë të ARRSH-së dhe krahas lirimit të hapësirave, të vijohet edhe me ndëshkimin e shtetasve përgjegjës, me masa administrative dhe penale.
Kozeli tha se ka nisur puna për evidentimin dhe heqjen e çdo ndërtimi, objekti, tabele reklame, depozitimi materiali, si dhe të çdo përdorimi tjetër të palejuar brenda kufirit rrugor, zonës rrugore, brezit të rezervuar dhe hapësirave të nevojshme për fushëpamje e siguri rrugore, në segmentet rrugore kombëtare në administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Drejtoritë Rajonale kanë nisur me njoftimin e të gjitha bizneseve që të marrin masa për heqjen e çdo objekti nga hapësirat dhe për ndalimin e përdorimit të paligjshëm të tyre brenda kufirit rrugor, zonës rrugore, brezit të rezervuar dhe hapësirave të nevojshme për fushëpamje e siguri rrugore, në segmentet rrugore kombëtare.
Komente










