Stadiumi i ekipit të futbollit të Elbasanit, ‘Ruzhdi Bizhuta’ është vizituar nga Kryeministri i vendit Edi Rama. Kreu i qeverisë është shoqëruar gjatë vizitës në ambientet e stadiumit edhe nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, por edhe nga ministrat Koka dhe Gjiknuri, me të cilët realizoi edhe disa takime të tjera në Gramsh. Vizita në ‘Ruzhdi Bizhuta’ është mjaft domethënëse, pasi vjen pas konfirmimit të ditëve të fundit për rikonstruktimin e stadiumit me qëllim zhvillimin e ndeshjeve të ekipit Kombëtar pas degradimit të stadiumit Kombëtar ‘Qemal Stafa’, i cili është në gjendje të mjerueshme. Pasi ka parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhej stadiumi, Kryeministri ka deklaruar se shumë shpejt do të nisin punimet.

“Vizita në stadiumin e qytetit të Elbasanit para nisjes sё rindёrtimit tё tij nga qeveria nё bashkёpunim me FSHF pёr ta bёrё gati nё shtator pёr ndeshjet e Kombёtarёs”. Projekti për rikonstruksionin e stadiumit të Elbasanit kap vlerën 1.6 milionë Eurove, çka do të bëjë të mundur që kombëtarja kuqezi të mos emigrojë jashtë vendit për të zhvilluar eliminatoret deri në ndërtimin e stadiumit të ri që parashikohet të ngrihet pikërisht mbi rrënojat e “Qemal Stafës”. Në fund të vizitës, kreu i qeverisë me mjaft sportivitet dhe energji ka shkëmbyer edhe disa pasime me kokë me top me ministrin e Mjedisit, Koka. Dritën jeshile rikonstruksioni i stadiumit të Elbasanit e mori pas takimit të Ramës me Dukën dhe De Biasin para pak ditësh në selinë e qeverisë.

Punimet pritet që të fillojnë zyrtarisht më datë 18 Shkurt, ditë kur Shqipërinë do ta vizitojë edhe Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Rama, Platini dhe Duka pritet që të udhëtojnë për në Elbasan më 18 Shkurt, së bashku edhe me ministren e Sportit, Nikolla për të prerë sheritin e fillimit të punimeve që do të prekë stadiumin në themel. Elbasnai u zgjodh, pasi ndodhet më afër se qytetet e tjera me aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ me ndërtimin e rrugës së re. Ndërsa përsa i përket faktit të stadiumit ‘Qemal Stafa’, UEFA ka lejuar Federatën Shqiptare të Futbollit që të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore të fundit për t’i vendosur më pas edhe drynin duke mbyllur një kapitull të gjatë të historisë së futbollit shqiptar.
 

Redaksia Online
(d.b/shqiptarja.com)