Sipari i Eurovision u mbyll dhe konkursi më i madh i muzikës në Europë tashmë e kurorëzoi fituesen e saj: Bullgarinë me këngën “Bangaranga” nga Dara. Ndërkohë, La Repubblica ka vlerësuar me notë performancat e finales që u mbajt në Wiener Stadhalle në Vjenë. Një gjë është e sigurt: në këtë finale, askush nuk kaloi pa u vënë re.

Top 5 më të mirat

Satoshi (Moldavi) - 7

Ai përcjell simpati ndërsa këndon himnin e tij të pavarësisë “Viva Moldova!”, i shfrenuar si një balerin hip hop-i, dhe skena mbushet me ngjyra, duke u kthyer në një pistë skateboard-i. Thërret: “Moldova, aloha”, “Adio, vida loca”, “Soroca, Europa”, “Saluti a tutti – Moldova is on duty”.

Monroe (Francë) - 7

Kostumografi duhet të jetë futur pak në konfuzion: nuk kuptohet nëse Monroe, e veshur e gjitha në të bardha, ka veshur një fustan nusërie “all inclusive”, përfshirë edhe pantallonat dhe kravatën. Megjithatë, këngëtarja më e re e Eurovision Song Contest, vetëm 17 vjeç, ka një zë të jashtëzakonshëm dhe me notat e larta të “Regarde!” zgjon edhe më të shpërqendruarit.

Akylas (Greqi) - 6

Njeriu-mace Garfield, me veshë dhe çizme bore prej pelushi portokalli, bën shfaqjen e tij, argëtuese dhe paksa të çmendur. Madje lëviz edhe me monopatinë dhe përfundon brenda një videoloje. Me “Ferto”, ai këndon për krizën ekonomike dhe dëshirën për ringritje.

Jonas Lovv (Norvegji) – 6 që bëhet 7

Ya Ya Ya, me kominoshe të zeza, luan rolin e Freddie Mercury dhe me rock-un e tij të viteve ’60 lë gjurmë. European Broadcasting Union e kishte konsideruar performancën e tij paksa tepër sensuale; ai këndon se “është një kafshë dhe nuk ka vetëkontroll”. Por duket se po argëtohet pa masë, dhe po ashtu edhe publiku.

Sal Da Vinci (Itali) - 10

Dhe pastaj është dekani. Në rregull, performanca është pak si skenë teatrale: miqtë veshin dhëndrin e ardhshëm përpara pasqyrës, ndërsa nusja e ardhshme zbulon trengjyrëshen nën fustanin e bardhë. Por Sal është Sal, krenar dhe i bindur: “Per sempre sì” është vërtet “për gjithmonë”. Të vjen të thuash: lum ai.

‘Të ngelurit’ në klasë

Aidan (Malta) - 5

Më i pëlqyeshmi i grupit, i ëmbëlsuar dhe me një sy dinak, i veshur i tëri me lëkurë dhe me një stil flokësh të diskutueshëm, këndon “Bella”. Mund të ishte himni i zjarreve në plazh, perfekt si kolonë zanore e Temptation Island. Por nuk biem në atë grackë.

Antigoni (Qipro) - 5

Duket si Shakira, kush jemi ne për t’i thënë se nuk i ngjan? Por flokëgjata Antigoni me “Jalla” shpërthen në skenë sikur të mos ketë të nesërme, është e qartë, nuk do të donte më të largohej nga skena. Zjarr kudo, por a mund të bëhet Eurovision Song Contest pa të?

Dara (Bullgari) - 5

Pantallona të shkurtra prej lëkure të zezë, e shfrenuar pa ndonjë arsye, me “Bangaranga” që do të thotë “turbullirë”, do të vazhdonte për orë të tëra. Do të kthehet në një refren që ngjitet, por veshët kërkojnë “mëshirë”. Me pop-in e saj “trash”, Dara nxit të humbasësh kontrollin. Dhe ajo e humbet. Ne më pak.

Alexandra Căpitănescu (Rumani) - 4

Britma është “Choke me”, domethënë “më mbyt”, “më shtrëngo”. Ok, është e lidhur me kitaristët me kabllo ndriçuese; ajo ndihet si një heroinë ‘metal’ dhe komunikon me të dashurin e saj të përfaqësuar si një fantazmë. Efekti “ghostbuster” e magjeps publikun. Çështje shijesh.

Lion Ceccah (Lituani) - 4

Duhet të jetë frymëzuar nga Rockets, sepse pesëdhjetë vjet më vonë shfaqet i tëri i argjendtë. Këndon në lituanisht, spanjisht dhe anglisht, një përzierje gjuhësh dhe stilesh, i pavendosur mes epikës dhe elektronikës. Me “Sólo quiero más” fton të gjithë të ndihen të lirë. Po ai, a do të çlirohet nga grimi?/La Repubblica