Ditën e sotme euroskeptiku dhe politikani pro-rus Rumen Radev ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar në Bullgari.

Sipas mediave të huaja, Radev ka premtuar gjatë fjalës së tij ulje të çmimeve, stabilitet ekonomik dhe reforma në sistemin gjyqësor.

Radev njoftoi gjithashtu emërime të reja në poste kyçe, përfshirë Ministrinë e Financave dhe atë të Jashtme, ndërsa qeveria e re pritet të miratojë me urgjencë një buxhet të ri dhe masa për sigurimin e fondeve të Bashkimit Europian.

Po ashtu, sipas Radev, Bullgaria do të përpiqet të përfitojë fondet e planit të rimëkëmbjes së BE-së, të cilat janë vonuar për shkak të reformave të papërmbushura në Drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit.

Analistët dhe diplomatët po ndjekin me vëmendje orientimin e politikës së jashtme të qeverisë së re, mes shqetësimeve për një qasje më të afërt me Rusinë. Zyrtarët e partisë së Radevit i kanë hedhur poshtë këto frikëra, duke theksuar se politika e jashtme nuk do të ndryshojë në mënyrë ekstreme.

Radev mori mandatin për formimin e qeverisë pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 19 prillit, ku “Partia Progresive e Bullgarisë” siguroi 44.6% të votave dhe shumicën në parlamentin me 240 deputetë.