TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale me urgjencë në orët e para të mëngjesit për heqjen e appendisitit, ndërhyrje e cila ka rezultuar e suksesshme. Siç njofton zyra e shtypit të kryeministrit, natën e kaluar, pas kryerjes së disa testeve imazherike në qendrën spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, kreu i qeverisë u diagnostikua me appendisit akut.

Në bazë të rekomandimit të mjekëve të shërbimit të urgjencës, kryeministri iu nënshtrua operacionit për heqjen e appendisitit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Operacioni ka zgjatur rreth 1 orë dhe është kryer me laparoskopi (jo me thikë). Ndërhyrja u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, shef i shërbimit të kirurgjisë në QSUT.

Mjekët që kanë marrë pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale të kryeministrit, kanë bërë me dije se gjendja paraqitet e mirë dhe brenda 24 orëve pritet të lërë ambientet e spitalit. Shefi i Kirurgjigjisë Arben Gjata, tha se koha e rikuperimit nuk do të jetë më shumë se 2-3 ditë.

‘Operacioni shkoi mirë, nuk ka temperaturë dhe sot do të fillojë dhe të ushqehet. Nesër besoj se duhet të dalë nga spitali. Me laparoskopi koha e rikuperimit është shumë e shpejtë, brenda 2-3 ditësh. Kryeministri nuk duhet të tregojë ndonjë kujdes të shtuar. Ai mund të ecë që sot.’- tha Gjata.

Burime për gazetarin Ermal Qori bëjnë me dije se fushata elektorale do të vazhdojë pa ndërprerje, mjekët do ta thonë ekzaktësisht se sa ditë do i duhet për rikuperim, ndërsa një formë për të ruajtur ritmin e fushatës është vijimi i saj me deputetët dhe drejtuesit politik në çdo qark së bashku me kandidatët. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:40
Rama bën ndërhyrje me urgjencë për appendisitin, shefi i Kirurgjisë: Brenda 24 orëve del nga spitali! Është në gjendje të mirë

Shefi i Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata në një dalje për mediat ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen shëndetësore të kryeministrit Edi Rama, pas ndërhyrjes kirurgjikale me urgjencë për heqjen e appendistit. Gjata tha për mediat se ndërhyrja është kryer me laparoskopi rreth orës 02:00.

‘I ka bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme në QSUT. Si operacion shkoi mirë, gjendja post-operatore është fare stabël. Sot besoj do të fillojë dhe të ushqehet, brenda 24 orëve mund të shkojë në shtëpi. Koha e rikuperimit total besoj do të jetë 2 ose 3 ditë.  Nuk duhet të ketë asnjë kujdes të shtuar. ’- tha Gjata.

I pyetur nëse do të jetë në gjendje që të zhvillojë takime elektorale, mjeku tha se kryesocialisti mund të dalë për 2 ose 3 ditë.

‘Mund të ecë vetë deri sot. Në fushatë varet, për 2-3 ditë. Është operuar në sallat që kemi pasur! Ishte në gjendje të mirë komunikon normalisht.’- tha Gjata.