Rama: Kemi probleme me cilësinë e drejtësisë, por s’bëjmë avokatin e askujt! Ironi me opozitën: Si ka mundësi që Sorosi ka hyrë në BE dhe po hap zyrë në Shqipëri?!

Hapja e zyrës së Parlamentit Europian në Shqipëri është vlerësim jashtëzakonshëm tha Kryeministri Edi Rama që e përcakton Shqipërinë si pikë referimi në Ballkanin Perëndimor dhe e konfirmon si vendin që së shpejti do të jetë anëtar i saj.

 "Si ka mundësi? Sorosi i fshehur mbas Roberta Metsola-s dhe Parametrit Europian që vazhdon vepron si diversant? ky është një moment tjetër shumë i mirë për pozicionin tonë ndërkombëtar. konfirmon një strategji më të gjerë të BE-së dhe nga ana tjetër përcakton pa diskutim Shqipërinë, si një pikë referimi jashtë perimetrit të Bashkimit Europian dhe si vendin që së shpejti do të jetë anëtare e Bashkimit Europian", u shpreh Rama. 

Nuk la pas komentet për reformën në drejtësi, për të cilën thotë se PS është krah saj, por ka ende probleme me cilësinë e drejtësisë.

“Kemi probleme me cilësinë e drejtësisë, por janë probleme të rritjes, patjetër që ka shumë gjëra që nuk shkojnë, po këto hetimet s’duhet të ulin reputacionin tim. S’japim llogari pse vajtën e futën duart aty ku s’dihet dhe prekën pasurinë e përbashkët, por përgjigjemi për mënyrën se si reagon, se si bashkëjeton në një situatë të tillë. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, jemi në krah të drejtësisë, s’bëjmë avokatin e askujt, kemi filluar me një proces të ri ku do ti japim opinionit tona me zë të lartë për cilësinë e drejtësisë, që ajo shpata të mos kthehet në një forcë ndëshkimore abuzive”, tha Rama.

Vota e 11 majit u thotë Rama qytetarëve është përtej bindjeve politike.

"Në 11 maj çdo shqiptar e shqiptare duhet të votojë për të mos humbur asnjë sekond në procesin e negociatave te Bashkimin Europian. Fitore PD 11 maj, larg qoftë për vendin, larg qoftë për fëmijët tanë. Mos harroni që BE nuk i sheh dot fare me sy ca tipa, fare. Është shumë e fortë kjo, midis Bashkimit Europain dhe Kujtimit. Edhe unë Kujtimin e njoh dhe rri, rri e them ca ka madhështore në gjithë këtë, vetëm një gjë madhështore ka, mustaqet e Kujtim Gjuzit. Partia Socialiste është një mjet, për të realizuar qëllimin. Shqipëria në Bashkimin europian. Këneta nuk është mjet, këneta është qëllim, janë dy gjëra të ndryshme", theksoi Rama. 

Sot Shqipëria merr sot afro 700 milionë euro investime nga Bashkimi Evropian sqaroi kryeministri dhe me anëtarësimin llogaria shkon 1 miliardë euro në vit.

"Pra në 15 maj do të mikpresim, liderët e Këshillit Europian, pra të gjithë liderët e Bashkimit Europian dhe me 16 do të vijnë këtu liderët e të gjithë kontinentit, me përjashtim të Rusisë sigurisht. Lëreni bufin me gjithë kënetë në fatin e vet, fokusohuni tek flamuri kombëtar dhe tek flamuri i Bashkimit Europian dhe votoni për ato dy flamuj në 11 maj, jo për flamujt e partive", vijoi Rama. 

Një nga universitetet më të mira Europiane do të binjakëzohet me universitetin e mjekësisë në Tiranë në mandatin e 4 tha Kryeministri

"Do të ndërtojmë këtu, do të sjellim këtu si pjesë të kompleksit universitar një nga universitetet më të mira të Europës në mjekësi, që do ta bashkojmë me universitetin tonë të mjekësisë", tha Rama. 

Kryeministri iu përgjigj komenteve për udhëtimet jashtë vendit dhe jetën e luksit të pushtetarëve nëpër restorante.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:34
Rama: Me 760 milionë euro në shëndetësi dhe universitet europian, mandati i katërt do të sjellë transformimin përfundimtar

 

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se buxheti i shëndetësisë ka arritur në 760 milionë euro, trefishi i nivelit të vitit 2013, duke theksuar se investimet në këtë sektor janë pjesë e një transformimi të thellë që pritet të finalizohet gjatë mandatit të katërt të qeverisjes.

Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Rama nënvizoi se qeveria ka ndërmarrë reforma të thella në sistemin shëndetësor dhe social, duke theksuar rritjen e konsiderueshme të mbështetjes financiare për qytetarët.

“Buxheti i shëndetësisë sot është 760 milionë euro, trefish. Mbështetja për mbrojtjen sociale ishte 130 milionë, sot janë 260 milionë euro. 600 mijë shqiptarë të pasiguruar marrin shërbime shëndetësore si të gjithë të tjerët, 53 spitale të reja të ndërtuara, 10 nga të cilat nuk ekzistonin fare. 43 të tjera janë shembur dhe rindërtuar nga e para, të pajisura me aparaturat më modern. Janë 210 mijë pensionistë që përfitojnë barna të rimbursueshme,” tha ai.

Në vijim të deklaratës së tij, kreu i qeverisë theksoi ambicien për ta kthyer Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në një qendër ekselence në nivel europian. Sipas tij, ky projekt do të jetë një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit shëndetësor dhe edukimit mjekësor në vend.

“Në mandatin e katërt, ne do të përmbyllim transformimin epokal të shëndetësisë. Në QSUT do të sjellim një qendër ekselence europiane dhe do të bëjmë administrimin e saj sipas standardeve më të larta. Do të sjellim një nga universitetet më të mira të mjekësisë në Europë dhe do ta binjakëzojmë me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë,” theksoi Rama.

Ora 09:39
Rama: Lëreni bufin me gjithë kënetë në fatin e vet, fokusohuni te flamuri europian dhe shqiptar më 11 maj! Ju ka lënë Luli gjysmakë me aritmetikën e tij

 

Kryeministri Edi Rama e mbylli komunikimin me komentuesit në rrjetin social (online) në rubrikën ‘Sy m’sy’ me përsëritjen e qëllimit të tij dhe qeverisë, për ta shfrytëzuar momentin e dritares së hapur nga BE për anëtarësimin dhe për të lënë pas “kënetën dhe bufin e saj” në fatin e tyre.

Ai bëri thirrje se më 11 maj nuk votohet për PS, por për të ardhmen e Shqipërisë në familjen europiane.

“Lëreni bufin me gjithë kënetë me fatin e vetë, fokusohuni te flamuri europian dhe ai shqiptar, votoni për ata dy flamuj më 11 maj dhe për të votuar ata dy ka vetëm një destinacion, votimi i PS. PS është një mjet, këneta është qëllim, qëllimi ynë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.

Teksa një komentues i kujton arrestimet e zyrtarëve socialistë, Rama i përgjigjet, duke ironizuar ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha për aritmetikën e tij:

“Në Europë futesh ekzaktësisht edhe për këtë që po bëhet tani, për këto që futen në burg. Lërini këto histori bajate, ju ka bërë Luli të gjithëve gjysmakë në aritmetikë dhe nuk dini se ku keni kokën. Qëllimi është anëtarësimi në BE sot, sepse nesër mund të na mbyllin derën. Kjo është historike, lëri këto, e solli PS me mua në krye, nuk e solli Zoti, Amerika apo Europa, e sollëm ne besimin në Shqipëri dhe Zotin te shqiptarët bashkë me to. Kaq për sot, sepse kam programin këtu, ca bëjnë bambam-bumbum, mirupafshim!”.

Ora 09:18
Hetimet e SPAK për socialistët, Rama: Nuk i kontrolloj dot ashtu siç mendon ti, as me ligj as me moral! SPAK-un e solla unë dhe PS

 

Një nga komentuesit e pyet kryeministrin se duhet të shtojë kontrollet personale ndaj ministrave dhe drejtuesve të të gjitha institucioneve në vend.

Ai tha gjërat nuk bëhen në këtë mënyrë, pasi nuk është as ligjore dhe as logjike, teksa u shpreh se PS dhe qeveria e tij ia kanë vendosur edhe “qafën e tyre” drejtësisë dhe “zonjës me shpatë”, por për gjërat që janë të ndaluara dhe për të ardhmen e Shqipërisë, që vendi të shkojë në BE e jo për të abuzuar me këtë drejtësi.

Fjala e kryeministrit për Drejtësinë:

“Ligji nuk lejon që unë të bëj kontrollet në këtë mënyrë ndaj institucioneve, as me zakon as me logjik. SPAK-un e solli qeveria, skuadra e PS, bashkë me skuadrën time, për të bërë reformën në drejtësi, për të hapur rrugën e pastrimit nga një llum i madh që ishte mbledhur dhe ka ende akoma, që ishte mbledhur në fytin e popullit shqiptar. Për të pastruar institucioni dhe për të bërë dorëzimin e shpatës së drejtësisë te zonja e drejtësisë, nuk e kam këtu atë zonjën sot, se e dashuroj shumë atë, është një grua që ka shpatën e ndëshkimit, peshoren dhe sytë e mbyllur.

Atë e kanë pasur të gjithë, mbreti, diktatori, këneta, qeveritë, por e kanë përdorur për të ndëshkuar sipas oreksit të politikës. Me vullnet të plotë ia dola që ta dorëzojmë atë shpatë. Në momentin kur një politikë i dorëzon shpatën drejtësisë, i hap rrugën një drejtësie epoke të re, dhe i vë edhe qafën e vetë drejtësisë në dispozicion, për bëmat që janë të ndaluara. Ne kemi probleme me drejtësinë, patjetër ka shumë gjëra që nuk shkojnë, ama këto hetime nuk duhet të ulin reputacionin tim, por të tregojnë se sa i pangopur jam unë për ta parë Shqipërinë dhe shqiptarët shumë lart, si gjithë të tjerët, për t’i parë nga larg poshtë dhe jo si deri tani nga poshtë lartë”.

Ora 09:14
“Gjykata mos bëjë noterin e Prokurorisë”/ Rama komenton drejtësinë: Ne jemi garant të drejtësisë, por do japim opinione mbi cilësinë

 

Edi Rama Kryeministri i Shqipërisë, ka folur mëngjesin e sotëm sërish për drejtësinë, ku ka komentuar qëndrimin e PS-së dhe të vetin si Kryeministër lidhur me pushtetin gjyqësor. Rama tha se PS nuk do të bëj avokatin e askujt, por do të flas me zë të lartë për të dhënë opinone rreth cilësisë.

Tani ne kemi probleme me cilësinë e drejtësisë, por janë probleme të rritjes. Patjetër që ka shumë gjëra që nuk shkojnë, por ama këto hetimet që thua ti nuk duhet të ulen reputacionin tim, por t’ju konfirmojnë të gjithëve se sa i pangopu dhe për të pasur një vend të drejtë dhe për të qenë të barabartë para ligjit. Kjo do kohën e vet, dhe hajdemi bëhemi bashkë ta pastrojmë. Janë marrëzira. Kjo bëhet kështu siç po e bëjmë kështu që nuk ka një vend në botë që të ketë fituar imunitet të plotë ndaj tundimeve të X apo Y për të futur dorën aty ku nuk duhet, por ama shpata e ndëshkimit, peshorja në duart dhe paanësia e drejtësisë janë garante. Kështu që kryeministri dhe partia në pushtet nuk jep llogari pse njëri apo tjetri futi duart aty ku nuk duhet por përgjigjet për mënyrën se si reagon dhe bashkëjeton në një situatë të tillë. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, jemi në krahun e drejtësisë. Nuk bëjmë avokatinë e askujt. Kemi filluar një proces që të japim opinionet tona për cilësinë e drejtësisë që shpata të mos kthehet në një forcë ndëshkimore abuzive. Që gjykata të funksionojë dhe noterizojë cdo gjë që kërkon prokuroria, dhe që prokurorët e gjykatësit të jenë të verbër, pra të paanshëm dhe të drejtë.

Ora 09:12
Rama: Nuk bëj udhëtime në avion me biznes klas, të gjitha janë ekonomike, përfshi edhe ato me familjen!

 

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj njërës prej pyetjeve që kishte të bënte me akuzën ndja tij për fluturime me çarter apo me klas biznes në avionë jashtë vendit.

Ai e mohoi, duke shpjeguar se të gjitha udhëtimet janë për punë dhe në ekonomik, me përjashtim të udhëtimeve të gjata në SHBA.

Sikurse tha edhe udhëtimet me familjen “i kam të gjitha në ekonomik”.

“Udhëtimet, nëse do kisha mundësi t’i këpusja me thikë dhe ti minimizoja, do i minimizoja. Se janë udhëtime pune, jo qefi. Janë udhëtime pune dhe prandaj më vjen si zor shumë dhe gabime ca kërkojnë këtë njerëz kur flasin broçkulla, jo mori avion privat. Jo fluturime luksi, fluturimet private me familjen, i bëj vetëm ekonomik si të gjithë të tjerët. Thonë jo mori avionin, jo udhëtoi me çarter etj. Unë udhëtimet i bëj për punë, vetëm për punë dhe jo për veten time. Udhëtimet me familjen i kam në ekonomik, ato pak që janë.

Udhëtoj me avion në ekonomik dhe jo në biznes. Përjashtuar ato udhëtimet e gjata në SHBA-të. Ça janë udhëtime në Europë, janë të gjitha në ekonomik. Çfarë flisni, për ça thoni, ja fjalë e vërtetë (bie kambana)... Pra kur vjen puna te jeta e secilit nuk e di askush nuk përveç atij secilit dhe familjes”.

Kurse një prej ndjekësve e akuzonte për “pangopësi”, teksa kryeministri iu përgjigj se sjellja e komentuesit tregonte papërshtatshmëri dhe pse jo xhelozi për të tjerët.

“Ti nuk kupton dot se për çfarë flet në rastin konkret. Ky muhabet i ngopur, i pangopur dhe ahhahhaha, i bëjnë njerëz që ose kanë ndjenjë xhelozie për të tjerët, ose për arsye të ndryshme, si duket ti ha shumë dhe të duket sikur të tjerët hanë më shumë ndaj dhe flet kështu”, tha kreu i mazhorancës.

Ora 09:10
Rama: Unë rri pa ngrënë dhe mbi dy ditë, në restorant kam shkuar 30 herë në 12 vite! Darkën e ha në shtëpi me familjen

Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur kritikave të komentuesve në rrjetet sociale. Rama thotë se ai nuk punon për të jetuar, por jeton për të punuar.

Në përgjigje të komentuesve në rrjetet sociale, Rama tha se ai gjatë 12 viteve në qeveri mund të ketë ngrëne 30 herë në restorant, nga këto 25 me familjen.

“Kush më njeh e di shumë mirë që unë nuk punoj për të jetuar, unë jetoj për të punuar. Unë jetoj për të bërë gjëra, jo për të konsumuar gjëra. Kush më njeh e di shumë mirë, që qysh se jam bërë kryeministër mund të kem dalë në restorante nuk e di, thuajse në 12 vjet tanimë të të them 30 herë në total. Janë shumë. Dhe nga këto 25 me siguri me familjen. Është sakrificë e madhe për familjen, për fëmijët tanë, por është kështu. Të gjithë pjesën e kënaqësive të imagjinuara ose propaganduara si ha e pi, kush më njeh e di shumë mirë që s’kam lidhje fare me këto. Patjetër që më shijon një ushqim i mirë kur është mundësia, por mund të rri pa ngrënë edhe dy ditë. E bëj për arsye të favoreve që ka organizimi me këtë gjë. Nëse arrin të bësh një cikël prej 48 orësh vetëm me ujë, është një gjë pozitive për organizimin. Është gjëja më normale për mua që përgjithësisht të ha një vakt në darkë dhe në darkë në shtëpi rregullisht. Në drekë tek ajo tavolina aty mbrapa nëse ha drekë”, tha Rama.

Ora 09:04
Rama flet për financimet e BE: Vetëm ne e integrojmë Shqipërinë, jo Aleanca Madhështore me Kujtim Gjuzin

 

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj komentuesve në rrjetet sociale, të cilët e pyetën mbi programin e PS. Rama tha se do të prezantojnë disa pika, por më kryesorja është integrimi në BE dhe shpjegoi me detaje fondet që Shqipëria merr nga Unioni, por edhe se si ndryshojnë fondet me integrimin në BE. Rama theksoi se vetëm PS mund ta integrojë Shqipërinë në BE dhe jo Aleanca Madhështore apo Kujtim Gjuzi.

“Rri pa merak se ca gjëra të qarta, disa pika kyçe do ti themi, por programi i programeve është anëtarësimi në BE. Shikoni, kur ne morëm detyrën merrnin nga BE diçka më shumë se 200 mln euro, sot më shumë se 600 mln euro në vit. Domethënë, në totalin e vet, pra që të jem shumë i qartë me ju, investimet nga BE janë afro 700 mln euro sot që flasim, në total. Investime publike, private etj. Dhe stoku i përgjithshëm përllogaritet rreth 6 mld ndërsa ne dua ta çojmë në 9 mld euro. Fondet e përfituara nga BE në periudhën 2014-2020, ishin 1 mld euro në total. Për 2021-2027, si buxhet që BE ka parashikuar është 2.6 mld euro. Ndërkohë që me futjen në BE, llogaria bëhet 1 mld euro mesatarisht në vit. Nëse sot ne nga buxheti i shtetit dhe nga të gjitha xhepat e tjerë të donacioneve vendosim në dispozicion të bujqësisë më pak se 200 mln euro, me futjen në BE do kemi plus 300 mln euro në vit. Nëse ka një arsye që edhe e vetme mjafton për të mos bërë një asnjë diskutim tjetër, për të mos i hyrë fare, jo më pëlqen ky, jo po më pëlqen ai, jo po Aleanca Madhështore, jo Kujtim Gjuzi. Ka vetëm një arsye, Shqipërinë brenda në BE”, tha Rama.

Ora 08:59
“Deputetët me një mandat në listë të hapur”/ Rama: Ata që thonë jemi të rinj, kanë vetë moshë, PS-ja do jetë skuadra më e re

 

Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy më Sy” ka folur sërish për listat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe për mënyrën se si do të angazhojë kandidatët e rinjë. Rama ka theksuar sërish se ata deputet që kanë më shumë se një mandat do të jenë në listën e hapur, me ndonjë përjashtim të veçantë. Nga ana tjetër Rama ka ironizuar dhe partitë e reja, të cilat sipas tij veprojnë si të vjetër.

Skuadër perfekte nuk ka, por një skuadër shumë të mirë do ta keni, skuadër të ripërtërirë, do harmonizohet eksperienca me energjinë e të rinjve, një skuadër që do garantojë vazhdimësinë  e procesit të BE, që do të ketë dijen e nevojshme të brendshme se për çfarë bëhet fjalë, dhe që do garantojë një përfaqësim të lidhur me egzigjencat e lidhur me kohën. Do jetë skuadra me e vjetër në eksperiencë dhe me e reja në energji. Dje bëmë të qartë vijën parimore të ndarjes së detyrave, kush ka qoftë dhe një mandat do jetë në fushëbetejë për të marrë vota për veten dhe PS, burrat nuk diskutohen, por dhe për gratë dhe vajzat nuk përjashtohen. Në listën e mbyllur do të jenë njerëz që hyjnë për herë të parë në parlament, që vijnë nga kontribute të caktuara në shoqëri, etj

Ora 08:58
Rama: Shqipërisë i janë përputhur yjet e fatit, larg qoftë fitorja e PD-së më 11 maj! BE s’i sheh fare me sy disa tipa

 

Kryeministri Edi Rama vuri theksin sot (11 mars) tek e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe fati që i ka trokitur si asnjëherë në derë me negociatat dhe në prag të anëtarësimit brenda pesë vitesh.

Ai tha se nuk jep receta për dhimbje në televizor, por diskuton halle të qytetarëve, trajton problematika dhe jep zgjidhje kur janë kompetenca të institucioneve, pasi ka edhe çështje që i zgjidh vetëm drejtësia. Ai e quajti programin e programeve anëtarësimin në BE, pavarësisht se kush qeveris.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se “larg qoftë që të fitojë PD më 11 maj”, për të ardhmen e vendit në BE apo për atë që duan të bëjnë, shkrirjen e SPAK-ut.

Moment i përputhjes së yjeve të fatit tonë dhe të Europës në funksion në anëtarësimit tonë në BE, ky është programi i programeve. Pastaj do kemi gjëra shumë të mira në vijim.

Unë nuk bëj pyetje vetë, se s’kam nevojë. Por fitorja e PD-së më 11 maj larg qoftë për fëmijët tanë, qytetarët shqiptarë, për të ardhmen e vendit, për BE-në, BE nuk i sheh fare taktikat por me rëndësi është të hyjmë atje.

Fitore për çfarë nga PD? Për të shkrirë SPAK-un? Apo për atë që ka nisur si luftë për korrupsionin. Kjo nuk është futboll, që thua fitore e Egnatias kundër Partizanit, çfarë do fitosh?

Unë nuk jam doktor popullor që jap receta se si kurohet një dhimbje me televizor. Këtu jemi për t’ju informuar, për t’ju dhënë qasje për dinamikat re qeverisjes, hallet dhe patjetër për sfidat. Por edhe sigurisht për problematika direkte dhe konkrete.

Si asnjëherë më parë në Shqipëri sot ka një lidhje direkte me qeverisjen me platformën “Shqipëria që duam” që ka hapur qeveria ku jepen zgjidhje për ato që mund të jepet zgjidhje, sepse ka çështje të tjera si ato të drejtësisë dhe gjykatave, apo pronave”, u shpreh kryeministri ndër të tjera.

Ora 08:51
Integrimi në BE/ Rama: Vetëm unë e di si mbyllet ky proces, prandaj duroj lloj-lloj kukumjaçkash e insektesh

 

Kryeministri Edi Rama thotë se vetëm ai dhe PS e çojnë Shqipërinë në BE. Prandaj thotë kryeministri, duron lloj-lloj kukumjaçkash e insektesh

“Këtë raport që kemi vendosur unë dhe PS me BE dhe botën nuk e kemi pasur kurrë. Një raport ‘Sy m’sy’ barazi dhe respekt. Unë e di si bëhet kjo punë dhe si mbyllet ky proces. Askush tjetër nuk e bën dot. Prandaj duroj lloj-lloj kukumjaçkash, salamandrash e insektesh dhe prandaj vazhdoj të jem këtu. Kijuni parasysh mirë këtë gjë”, tha Rama.

Ora 08:47
Rama: Dritarja e BE mund të mbyllet! Qytetarët shqiptarë do jenë të barabartë me ata të Europës! Ia dhamë ne shpatën Drejtësisë, jo bufi i kënetës

 

Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e dritares së hapur për Bashkimin Evropian për Shqipërinë, që e theksoi se nuk është derë e hapur por vetëm dritare që mund të mbyllet nëse nuk shfrytëzohet momenti i artë.

Ai e cilësoi moment të jashtëzakonshëm, që qytetarët shqiptarë të jenë të barabartë me qytetarët e BE-së, për të qenë të barabartë dhe ku “shpata e drejtësisë” vepron sipas ligjit dhe jo sipas “kënetës” dhe ‘bufit të kënetës”.

Fjala e Ramës për BE-në:

Të shfrytëzojmë këtë dritare të hyjmë brenda sa është e hapur se mund të na mbyllet, është dritare dhe jo derë, është i jashtëzakonshëm si moment, fati po i buzëqesh shqiptarëve për herë të parë. E para për të garantuar pakthyeshmërinë e proceseve në asnjë moment. Tjetra se liria e shqiptarëve nuk do varet më nga askush por do jetë e garantuar në BE. Nuk do varet më barazia para ligjit nga dikush për drejtësi por është qeveria që ia ka dhënë shpatën drejtësisë shpatën për të bërë drejtësi dhe nuk është bufi i kënetës që thotë do të shkrijmë SPAK do ta heqim e bla bla bla, nuk do varet më nga një individ për të vendosur se çfarë do bëjë me vullnetin e popullit. Është barazia para ligjit në BE.

Dhe tjetra zhvillimi dhe ekonomia dhe ligjet. Tjetra, pasaporta e Shqipërisë do jetë me të drejta të plota të lëvizjes jo si dikur, por në pasaportë do shkruhet Bashkimi Europian, frëngjisht dhe anglisht dhe poshtë Shqipëri. Çdo zotërues i asaj pasaporte do ketë të drejta sikurse çdo francez, cek, polak, gjerman, italian etj.

Pra do ketë të gjitha të drejtat si qytetarë të BE, deri te sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që do marrë të gjitha shërbimet. Nuk ka lidhje fare jo PS jo PD jo e majta e djathta, bla bla, jo e lagu bishtin bufi jo se lagu. Për sa kohë do jemi aty brenda nuk ka rëndësi se kush drejton”.

Ora 08:39
'Vota e shqiptarëve për herë të parë ka një peshë gjeopolitike', Rama për 11 Majin: Na duhet unitet në një botë që po kërcënohet çdo ditë

 

Kryeministri Edi Rama ka vijuar ditën e sotme dhe me rubrikën e tij të përjavshme "Sy më sy", ku është përqendruar në rëndësinë e zgjedhjeve të 11 Majit. Rama ka theksuar se vota se në 11 Maji, sipas tij, vota e shqiptarëve ka një peshë gjeopolitike.

Më 15 maj një darkë pune me mua dhe liderët e tjerë të rajonit. Më 15 mirëpresim liderët e BE dhe më 16 vijnë këtu liderët e kontinentit me përjashtim të Rusisë. Kjo është Shqipëria e sotshme, ndaj është e rëndësishme që çdo shqiptar të kuptojë se më 11 maj Shqipëria është më shumë se kurrë përtej të majtës e të djathtës, përtej partive, sepse çdo shqiptar duhet të votojë për të mos humbur asnjë sekondë në procesin e negociatave me BE dhe për të mos krijuar në sytë e tyre asnjë dyshim se në Shqipëri ka mjegull dhe një shumicë solide. Hera e parë në historinë e këtij procesi kur fjalët përputhen me vullnetin për përfshirjen e Shqipërisë në BE. Vota këtë vit ka një peshë gjeopolitike në një botë që po lëkundet në aspektin e sigurisë. Kur të gjithë po flasin për kërcënime e rreziqe ne na duhet qëndrueshmëri, lideship dhe unitet. Moment ekzistencial për Europën dhe Shqipërinë. 

Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

Tragjedia me 59 viktima në Koçan! Sërish protestë në Shkup, në mbështetje edhe kryeministri Mickoski: Të mos përdoret politikisht

Tragjedia me 59 viktima në Koçan! Sërish protestë në Shkup, në mbështetje edhe kryeministri Mickoski: Të mos përdoret politikisht