Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria gjatë 5 viteve të fundit ka tërhequr më shumë investime të huaja në raport me ekonominë, sesa mesatarja e rajonit.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se investimet e huaja në Shqipëri kanë arritur afërsisht 7% të prodhimit të brendshëm bruto.
Shefi i Qeverisë shtoi gjithashtu se vetëm në vitin 2024, janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të 2025-ës kemi arritur në 1.21 miliardë, çka sipas tij konfirmon ritmin e qëndrueshëm të rritjes.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Ekonomia rritet dhe rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe sepse investimet e huaja direkte rriten në mënyrë të qëndrueshme. Në 5 vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja në raport me ekonominë sesa mesatarja e rajonit, duke arritur në afro 7% të Prodhimit të Përgjithshëm, mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor.
Vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të 2025-ës kemi arritur në 1.21 miliardë, çka konfirmon ritmin e qëndrueshëm të rritjes. Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja ka arritur në 16.6 miliardë euro, një shifër e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.
Një shifër që tregon qartë se Shqipëria ka ndryshuar pozicionim në rajon, ka ndryshuar qasje dhe impakt, nga një treg që shihej me shumë rezervë, duke u kthyer në një vend ku investohet konkretisht dhe në perspektiva afatgjata.
Dhe, po të llogarisim aplikimet, interesimet dhe mundësitë që shohim nga e gjithë ajo çka është tryeza e dosjeve të agjencive përkatëse, atëherë mund t’ju them me plot gojën se e nesërmja është shumë më e mirë sesa e sotmja. Është një e nesërme rezultatesh që lidhen drejtpërdrejt me çfarë kemi mbjellë me mundim në tërë këto vite, me reformat transformuese që kemi bërë, me stabilitetin ekonomik që kemi krijuar, me përmirësimin në vazhdim të klimës së biznesit dhe me një qasje të strukturuar të investimeve në një mjedis të parashikueshëm për kapitalin afatgjatë.
Lajmi kryesor:
Nesër Diaspora mblidhet në Tiranë, kryeministri Rama ndan detaje: Fokusi te historitë e tyre të suksesit! Këto ditë marrim raportin e rëndësishëm nga BE











