TIRANE, 20 Mars/ATSH/- Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar të premten me banorë të Fushë Krujës shpërndau çertifikatat e legalizimit , ndërsa theksoi se legalizimi i banesave është një stimul për ekonominë e çdo familjeje.
Në 8 vite, tha kryeministri Rama u shpërndanë vetëm 470 leje legalizmi, ndërsa sot kjo shifër llogaritet mbi 1 mijë. Sipas kryeministrit Rama, për ne ky nuk është një proces i majtë, apo një proces kundër të djathtëve, por një proces për t'i trajtuar me dinjitet të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë, të cilët meritojnë më në fund të kenë dokumentin e pronës së tyre.
Ne, vijoi ai, besojmë se ky është një ndryshim themelor midis kësaj qeverie dhe pushtetit të mëparshëm. "Dua të theksoj se me marrjen e lejes së legalizimit nuk është thjeshtë marrja në dorë e një dokumenti që garanton përfundimisht shtëpinë, por marrja në dorë e një dokumenti që krijon një mundësi të re për ekonominë tuaj familjare, sepse ju bëheni pronarë të ligjshëm të investimit tuaj dhe keni në dispozicion një mundësi për të shkuar në bankë dhe për t'a përdorur shtëpinë si kolateral, për të marrë një kredi për të hapur një biznes për të zgjeruar një biznes, një fermë për të bërë një investim privat, apo për të mbështetur studimet e fëmijëve. Pra ky është një stimul për ekonomine e çdo familjeje", tha Rama.
Sipas kryeministrit Rama, shumica dërrmuese e këtyre familjeve i kanë hedhur në themelet e shtëpisë, tulla apo e çati të gjitha kursimet e tyre dhe janë familje që jetojnë në vështirësi. Kreu i qeverisë iu rikujtoi banorëve se pas legalizmit të pronës nuk mund të kryejnë më ndërtime pa leje. "Koha e ndërtimeve pa leje ka mbaruar. Me legalizimin përfundon edhe epoka e ndërtimeve pa leje kudo e kush mundet", u shpreh Kryeministri Rama./a.gjonaj/f.n/







