Kryengritja e dytë për
rrëzimin e qeverisë zogiste

Kryengritja e dytë për<br />rrëzimin e qeverisë zogiste
TIRANE - “Kena ardhë me u ba thirrje me luftue kundër Zogut, me ne është Malsia  e Madhe, Puka, Mirdita, Postriba, Gashi, Krasniqja dhe për këtë punë është lidhë besa të luftojmë së bashku për të sjellë në fuqi Fan Nolin edhe  një herë”, kështu është shprehur Ndokë Gjeloshi gjithkund nëpër Dukagjin, krahinë më krahinë”.

Ndokë Gjeloshi, nacionalisti i hershëm që kishte ngritur flamurin kombëtar me bekimin e Fishtës mbi kambanjelën e Kishës së Fretërve në Shkodër në kohën e iternacionalitetit, luftëtari i paepur i Princ Vidit, krahu i armatosur i Kongresit të Lushnjës, gardisti që kishte marshuar me flamurin e Nolit dhe ishte futur në Tiranë, gëzonte mbështetje dhe reputacion të gjerë popullor në Dukagjin, si fanolist dhe ushtarak.

Kur Ndokë Gjeloshi e Vas Kiri shkuan shtëpi më shtëpi e katund më katund, qyshë nga Qafa e Kolshit deri tek Ura e Shtrejtë, kishin siguruar një përkrahje të gjerë të malësorëve dhe deklaruan se ishin marrë vesh edhe me krahinat e tjera.

Krerët Antizogistë të Malësisë së Dukagjinit viti 1926 me logo
(Në krerët Antizogistë të Malësisë së Dukagjinit në viti 1926)

Dom Loroja bëri be në kryq që “me të fillue pushka, të gjithë kanë dhënë besën me ia  fillue luftës secila krahinë”. Kur Ndokë Gjeloshi e Vas Kiri dolën në Postribë, malësorët i pyetën në emër të kujt e keni fillue këtë punë. Vas Kiri tha: “Në emër të opozitës e Xhemal Begut” (AQSH, Fondi Kleri katolik. Dosja Kujtime të Klerit Katolik. “Revolucioni i Dukagjint”).
 
TË ARRATISURIT POLITIKË KRIJUAN TRI ORGANIZATA ANTIZOGISTE
 
Pas triumfit të legalistëve, kundërshtarët politikë të Zogut, të ikur prej Shqipërie u grupuan në tri parti politike të financuara prej qeverive të ndryshe, por të gjitha me një qëllim: Përmbysjen e regjimit Zogist.

1-Konoreja- një organizatë emigrantësh shqiptarë e drejtuar fillimisht nga Noli, pastaj nga Mustafa Kruja.

2-“Bashkimi Kombëtar” - organizatë që botoi edhe fletoren po me këtë emër, e cila është etiketuar si e lidhur ngushtë me qeverinë jugosllave”. Në këtë organizatë aderonin figura të tilla si Hasan Prishtina (i pari i organizatës), Ndokë Gjeloshi, Qazim Mulleti, Angjelin Suma, Aziz Çami, Dom Loro Caka, Dom Lazer Shantoja, Spiro Kosova, Koço Tasi, Ritvan Ohri, Xhemal Bushati, etj. Organizata kishte shtrirje në Vjenë, Itali, Francë, Greqi etj. Qëllimi i përbashkët i gjithë këtyre eksponentëve ishte  përmbysja e Zogut me çdo kusht e çdo mjet.

3- Lidhja e Lekë Dukagjinit; pati qendrën e vet në Gjenevë me kryetar Serafin Mazrekun në përbërje të së cilës aderuan Kolë Bibë Miraka, Dedë Thani, etj.
Lëvizja e Dukagjinit ose Revolucioni i ri antizogist i vitit 1926 qe frymëzuar nga Organizata e “Bashkimit Kombëtar”. Kjo ka qenë lëvizja më e fuqishme e asaj periudhe, e cila plasi në prag të firmosjes së Paktit të parë italo-shqiptar të Tiranës dhe krijoi një tronditje të fuqishme të autoritarizmit shtetëror zogist.

Kryengritja shpërtheu në truallin e pakënaqësisë së kësaj krahine që ndodhej në një gjendje mizerabël ekonomike dhe kërkonte përmirësimin e kësaj gjendjeje. Këtë pakënaqësi e shfrytëzuan me zgjuarsi organizatorët, të cilët u vunë në udhëheqje të saj të motivuar nga konjuktura politike ndërkombëtare.

Lëvizja e Dukagjinit e vitit 1926 është  nxitur, motivuar dhe dirigjuar nga elementët më të rëndësishëm të “Bashkimit Kombëtar”, Ndokë Gjeloshi e Vas Kiri për Dukagjinin, Kolë Biba për Pukën, Dodë Nikolla për Malësinë e Madhe, Sali Mani për Krasniqen dhe, pa dyshim, në krye të të gjithëve ishte prifti katolik Dom Loro Caka, i cili ishte komandanti i përgjithshëm i kryengritjes, siç konfirmon eksponenti i njohur i kësaj Lëvizjeje Spiro Kosova në kujtimet e tij- (“Liria Kombëtare” fq 207-208).

Dukagjini ishte një vorbë e  nxehtë e pakënaqësive antiqeveritare, që ziente prej kohësh dhe shpërtheu në nëntor 1926. Rrënjët e kësaj pakënaqësie ishin gjendja e keqe ekonomiko-shoqërore e popullatës dhe masat e ashpra të qeverisë ndaj tyre, gjë që është pranuar edhe nga vetë zyrtarët e Tiranës.

Kolonel Faik Quku në librin e tij ”Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore “vëllimi i parë 1939-1941 shkruan: “Në fund të vitit 1926, nacionalistët e ikur përgatitën një lëvizje të përgjithshme kundër Zogut, që do të pëlciste si në veri ashtu edhe në jug të Shqipërisë. Për arsye të paditura dhe papritmas lëvizja fillon përpara kohe duke u kufizuar vetëm në Dukagjin të Shkodrës”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij