Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në kuadër të riorganizimit të punës së uniformave blu, ka urdhëruar tërheqjen e shërbimeve të dukshme të Policisë Rrugore nga akset nacionale, por edhe nga zona të tjera të vendit.

Në telegramin e shpërndarë drejt të gjitha drejtorive vendore, Hita argumenton këtë urdhër me shqetësimet e ngritura nga qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve për ndalimet rutinë, të cilat sipas tyre janë kryer pa një bazë të qartë ligjore, si edhe për vonesat e panevojshme që kanë shkaktuar gjatë udhëtimeve.

Sipas udhëzimeve të reja, shkeljet e qarkullimit rrugor duhet të evidentohen kryesisht përmes teknologjisë, duke përdorur radarët e shpejtësisë në mënyrë automatike, si edhe dronët monitorues.