Përdorimi i bombave molotov kundrejt efektivëve të policisë është një akt vrasës nga ana e protestuesve të Partisë Demokratike, thotë për Report Tv ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Mit’hat Havari. Molotovët janë armë që vrasin dhe sipas tij, reagimi i efektivëve për t’u mbrojtur është mëse i drejtë. Havari dënoi veprimet ndaj efektivëve apo Gardës, duke i parë edhe si provokime të qëllimshme për të rikthyer ngjarje si vdekja e protestuesve (siç ndodhi në 21 janar.)

“Bomba molotov është një lëndë djegëse e futur brenda në shishe dhe ajo është vrasëse, është vrastare, ajo të vret, nuk diskutohet. Ajo është armë që të vret në qoftë se ia drejton fytyrës së një polici, ajo e ekzekuton, e vdes. Është armë asgjësuese, sigurisht edhe terrorizuese. Policia e Shtetit në këto kushte merr masa të fuqishme mbrojtëse për veten e vet në radhë të parë, nuk diskutohet, pastaj edhe për objektet të rëndësisë së veçantë që ata marrin në kontroll. Boll i kanë poshtëruar dhe vazhdojnë pa mëshirë edhe brenda në parlament Gardën e Republikës që i prekin, në një farë mënyre i fyejnë, i provokojnë në limite që ata të veprojnë dhe dëshirojnë të vdesë ndonjë protestues që të krijohen situata të vazhdojë Shqipëria me ato historitë e shëmtuara në sytë e botës“, tha Havari.

Taktikat e Skënder Hitës për të parandaluar skenarët e dhunshëm të protestuesve u përgëzuan fort nga Havari. Ai e komentoi si një reagim proporcional e inteligjent që e neutralizoi grupin e zjarrit. Havari vlerësoi edhe kontaktin e Hitës me efektivët, kurse gjithë metoda e ndjekur shihet mjaft korrekte prej tij.

“Më pëlqyen shumë veprimet e Policisë së Shtetit, ishin proporcionale, të forta. Ndërhyrja ishte inteligjente dhe me kurajo ndaj grupit të zjarrit, ndaj njerëzve që gjithnjë, si të thuash, kanë manifestuar veprime të egra në raport me strukturat që mbrojnë shtetin ligjor. Kontakti i parë që bëri Skënder Hita, i ardhur këto ditë, më pëlqeu se para një ore se të fillonte protesta e dhunshme ai i kontaktoi strukturat e Tiranës. Impakti, kontakti me ta, u jep atyre forcë, u jep frymë, dhe ju thotë që s'jeni vetëm, jeni jemi ne këtu, jemi bashkë. Mendoj që ai ka studiuar me kujdes, duket që ka eksperiencë. Kam dëgjuar fjalë të mira për të dhe uroj të vazhdojë të mbarojë mandatin e plotë. Ndërhyrja inteligjente, e shpejtë, dominuese, dominoi mbi organizatorët, mbi grupin e zjarrit. Për mua dje Policia e Shtetit ka vepruar në mënyrë të shkëlqyer. Aty ka pasur veprime shumë korrekte”, tha Havari.

Diçka që Havari nënvizoi ishte edhe prania e Shkëlzen Berishës dhe Argita Malltezit, fëmijëve të Berishës, në protestë, si një parathënie që kërkon të vijojë pushteti i tij përmes tyre.

“Dje pashë dy fëmijët e liderit historik të kësaj partie që i ka nxjerrë në protestë, po i ka mbajtur në vijë të dytë, jo atje se e kuptoni këta punojnë tani dhe si monarkitë që duan në pushtet të nesërme të sjellë dhe fëmijët e tyre dhe kjo është fatkeqësi e madhe për demokracinë shqiptare”, tha Havari.