Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda takoi sot (21 Janar) ambasadoren e Japonisë, Kato Kikuko.
Gjatë bisedës ata u dakordësuan për krijim të urave të reja të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
“Në takimin e kortezisë të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, morën pjesë Zëvendësambasadori i Japonisë Fujimura Daisuke dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Gjatë takimit, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet agjencive ligjzbatuese të dy shteteve, kryesisht për hetimin e krimeve kibernetike”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.
Proda dhe Kikuko shprehën vendosmërinë për ta intensifikuar këtë bashkëpunim, duke shfrytëzuar teknologjinë e avancuar japoneze, si dhe gatishmërinë dhe profesionalizmin e strukturave të Policisë shqiptare për të kontribuar në ndërhyrje policore me impakt global.
“Gjatë takimit u konsiderua prioritare lufta kundër krimit kibernetik, krim me shtrirje globale. Agjencitë ligjzbatuese, ndonëse gjeografikisht larg, duhet të unifikohen, si dhe të veprojnë si partnere të barabarta dhe të besueshme gjatë ndërhyrjeve për përmbushjen e misioneve të përbashkëta, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e të drejtave të qytetarëve”, përfundon njoftimi.