Kryeprokurori,Basha-Kryemadhi
kundërshtojnë Lu:Antikushtetues

Kryeprokurori,Basha-Kryemadhi<br />kundërshtojnë Lu:Antikushtetues<br /><br>
Dy ditë pas protestës, ambasadori i SHBA, Donald Lu ka shkuar në zyrën e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Mësohet se ka qenë vetë ambasadori amerikan ai i cili ka kërkuar takim me Bashën dhe Kryemadhin. Fillimisht, Lu takoi Basha me të cilin bisedoi për rreth 70 minuta. Ndërsa më pas ambasadori amerikan është nisur drejt selisë së LSI, ku është pritur nga Kryemadhi. Si Basha ashtu edhe Kryemadhi kanë kundërshtuar ambasadorin amerikan sa i takon çështjes së zgjedhjes së Kryeprokurorit duke e cilësuar si antikushtetues.
 

PD zbardh takimin, Basha-Lu: Zgjedhja e Kryeprokurorit, antikushtetuese
Zyra e shtypit e PD, ka shpërndarë njoftimin e Bashës me ambasadorin Lu ku thuhet se "kryetari i opozitës i përcolli ambasadorit amerikan Donald Lu kundërshtimin e prerë të Partisë Demokratike për zgjedhjen antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm". Sipas PD, Basha bëri të qartë se "mos krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga parlamenti, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, zgjedhja e prokurores pa kaluar vetingun, janë puç antikushtetues i cili ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin".

"Zoti Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën. Kryetari Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre. Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim", thuhet në njoftimin e PD. 

Kryetari i opozitës, vijon më tej njoftimi i PD, e siguroi ambasadorin Lu se në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të. 

Kryemadhi-Lu: Prokuroria, vegël qorre e Ramës
Edhe LSI ka zbardhur takimin e Monika Kryemadhit me ambasadorin Donald Li. Në një njoftim të shpërndarë nga zyra e shtypit, thuhet se Kryemadhi në takimin me Ambasadorin e SHBA Donald Lu theksoi që në fillim se procesi i zgjedhjes se kryeprokurorit ishte antikushtetues. “Ishte një proces i një anshëm i cili u krye nga Kryeministri me qëllimi kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish Ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. 

Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se: "Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për t'u shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe Integrimin Europian”

Kryetarja e LSI-së gjatë takimit me Ambasadorin Lu u ndal dhe te zhvillimet në parlament. Ajo tha se “Gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i parlamentit Ruci, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në parlament”, tha Kryemadhi. 

“Parlamenti nuk është më një institucion demokratik por thjesht dhe vetëm një shtojcë e shëmtuar e kryeministrit dhe rikthimi i tij në një institucion demokratik dhe normal është një sfide ku SHBA duhet ta thonë fjalën e tyre”, shtoi kryetarja e LSI-së. Kryetarja e LSI, Kryemadhi evidentoi dhunën ndaj deputeteve të saj brenda dhe jashtë parlamentit, Kejdi Mehmetaj the Floida Kërpaçi si dhe nënvizoi se gjakosja e deputeteve më të reja të parlamentit është një provë e qartë publike e dhunës së pushtetit të kryeministrit dhe policisë së tija ndaj çdo reagimi qytetar dhe opozitar, dhunë e cila ishte mesazhi më negativ që mund ti jepej rinisë shqiptare.

Ajo shprehu vullnetin e LSI-së për të futur vendin në rrugën e kushtetuetshmërisë, pasi aktualisht gjithçka ka dalë nga shinat e kushtetutës. “Ky kaos kushtetues ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te shteti i së drejtës, gjë që është shkaku kryesor që shqiptarët braktisin vendin dhe pse të rinjtë kanë humbur shpresën”, tha ajo. “Vullneti i LSI-së për të zbatuar një reformë në drejtësi vetëm në respekt të plotë të kushtetutës dhe të ligjit është një vullnet i pa ndryshuar dhe votat e LSI-së në parlament do jenë në shërbim të kësaj sfide. Ngritja menjëherë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më tej SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë rruga e vetme për ti shkuar deri në fund luftës kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit galopant”, u shpreh Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. 

Ajo i kërkoi njëkohësisht Ambasadorit Lu një vlerësim objektiv të ngjarjeve më të fundit për të evidentuar qartë se shkaktarët e dhunës brenda dhe jashtë parlamentit ishte mazhoranca e drejtuar nga Kryeministri dhe dëshira e tyre e shfrenuar për ti mbyllur gojën çdo zëri opozitar dhe qytetar që demaskon dhe denoncon situatën e rëndë ku ndodhet vendi dhe sundimit të ligjit.  

Takimet e Lu me Bashën e Kryemadhin pas protestës
Takimet vijnë pas protestës së opozitës dhe zhvillimeve në Kuvend ku deputetët e PD dhe LSI krijuan një situatë të jashtëzakonshme gjatë seancës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ku u hodhën tymuese dhe sende të forta. Pas protestatve të dhunshme, ambasada e SHBA reagoi ashpër, duke dënuar dhunën dhe duke sqaruar se iku kryeprokurori që nuk pranonte të hetonte politikanët.

Nga ana e tij, kryedemokrati Basha iu përgjigj po me tone të ashpra diplomatit amerikan, duke thënë se në SHBA një qeveri e lidhur me krimin do të ishte rrëzuar, ashtu siç do të ishte futur në burg një ministër që akuzohej për trafik droge. Ndërsa i ashpër ndaj ambasadorit Lu ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha i cili jo më larg se një ditë më parë e quajti të njëanshëm. 

lu te pd
(Ambasadori i SHBA Donald Lu ne ambientet e PD)

lu basha
(Lu pershendetet me Bashen pas takimit)

lu kryeamadhi
(Pas Bashës, Lu takon kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi)


kryemadhi lu
(Pas Bashës, Lu takon kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi)


d.c-l.q/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike