/ATSH-B.Jashari/.- Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur sot për të shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me kërkesën e AKP-së për çështjen e Ndërmarrjes Trepça.

Rasti i kësaj ndërmarrje u theksua veçmas edhe në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar. "Qeveria e Kosovës në bashkëpunim edhe me Kuvendin e Kosovës do të punojë në plotësimin e kuadrit ligjor për të mundësuar që Trepça të vazhdojë punën dhe të jetë një nga shtyllat e zhvillimit", u paralajmërua në mbledhje.

"Trepça është pasuri nacionale e Republikës së Kosovës, nuk është një kompani e thjeshtë e cila mund të tjetërsohet", u shpreh mbrëmë kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
"Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti dhe interesi nacional mbi Trepçën. Po punojnë ministritë përkatëse për të ofruar zgjidhje afatgjata, duke përfshirë edhe ruajtjen e vendeve të punës së mbi pesëmijë të punësuarëve dhe atyre që potencialisht mund të punësohen në këtë gjigant kosovar", tha Mustafa.
Ai vlerësoi angazhimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës për të gjetur zgjidhje afatgjatë.