TIRANE, 25 nentor/ATSH/. - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë "Pavarësia dhe dhe funksionimi i Autoritetit Audiovizual të Mediave në Shqipëri, një vlerësim duke përdorur metodologjinë 'INDIREG' ".
Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marco Leidekker, Yngve Engstroem, i ngarkuari me punë i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, deputetë si dhe përfaqësues të institucioneve dhe të mediave shqiptare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit përgëzoi organizimin e këtij takimi të rëndësishëm dhe në veçanti falënderoi punën që është bërë për realizimin e studimit sipas metodologjisë "INDIREG" mbi pavarësinë dhe funksionimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë, studim që u mbështet nga Këshilli i Evropës pas kërkesës së bërë prej Kuvendit të Shqipërisë. "Liria dhe pavarësia e medias janë pika kyçe në zhvillimin demokratik të vendit dhe natyrisht të gjithë rajonit tonë. Ndaj gjykoj se AMA ka për detyrë ruajtjen dhe mbështetjen e vlerave demokratike të përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë, veçanërisht lirinë e shprehjes dhe atë të medias" , tha Meta.
Por, mbi të gjitha ajo që pritet nga AMA është që t'i qëndrojë larg politikës, të jetë e paanshme, e drejtë dhe kompetente në ushtrimin funksioneve të saj në shërbim vetëm të interesit publik", tha Meta.
Kryetari i Kuvendit deklaroi se me miratimin e ligjit të ri në mars 2013, i hartuar me ndihmën e specializuar të organizatave ndërkombëtare, ku Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian kanë luajtur një rol parësor, Kuvendi i Shqipërisë i ka siguruar AMA-s gjithë bazën ligjore të nevojshme për një funksionim efikas. "Kuvendi gjithashtu sapo ka zgjedhur tre anëtarë të rinj të bordit, gjë që i sjell autoritetit të AMA-s normalitet në vendimmarrje dhe i jep institucionit mundësi të çojë përpara sfida mjaft të rëndësishme për vendin. Edhe ky studim i kryer nga ekspertët ndërkombëtarë të "INDIREG", të cilit unë ia kërkova disa muaj më parë si Kryetar i Kuvendit, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, ka për qëllim të ndihmojë Kuvendin dhe AMA-n për të hartuar politikat e duhura në të ardhmen në funksion të forcimit të këtij institucioni në shërbim të publikut dhe për publikun", tha Meta.
"Ne i kushtojmë dhe do të vazhdojmë t'u kushtojmë vëmendjen maksimale garantimit dhe fuqizimit të integritetit dhe të pavarësisë së funksionimit të AMA-s. Në këtë drejtim, ne vlerësojmë mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në veçanti ato të Këshillit të Evropës dhe të Bashkimit Evropian, që nuk kanë hezituar asnjëherë të ofrojnë asistencë të nevojshme teknike në mbështetje të vendit tonë dhe të institucioneve tona. Kjo vlen edhe më tepër kur bëhet fjalë për një autoritet rregullator të medias që duhet të jetë funksional, i pavarur, i paanshëm, profesional dhe i mbrojtur nga çdo lloj ndërhyrje politike", tha Meta. /a.ke/










