Kryetari i Parlamentit Shqiptar Ilir Meta me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni
Tiranë, 21 Janar / ATSH/ - Në vijim të vizitës së tij në Maqedoni, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u takua me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni.
Fillimisht Meta u takua me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, me të cilin u diskutua rreth përpjekjeve që duhen bërë për të avancuar më tej realizimet e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Gjatë takimit, Meta shprehu mbështetje për përpjekjet e faktorit shqiptar për forcimin e stabilitetit në Maqedoni.
Pas takimit, në një prononcim për mediat, Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë për takimin me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me të cilin shkëmbeu mendime dhe ide për të forcuar më tej marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Gjithashtu, Meta u shpreh se gjatë takimit me Thaçin u shkëmbyen ide edhe lidhur me përpjekjet që duhen bërë për të avancuar më tej realizimet e të drejtave të shqiptarëve si një faktor shtetformues dhe mjaft kyç për stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë.
Ilir Meta dhe Mendu Thaçi
"Duhet të theksoj se ne mbështesim të gjitha përpjekjet e faktorit shqiptar për të forcuar stabilitetin në Maqedoni dhe në mënyrë të veçantë për integrimin e tyre në të gjitha institucionet, për realizimin e plotë dhe të përshpejtuar të Marrëveshjes së Ohrit dhe njëkohësisht për të shtuar mbështetjen për Maqedoninë Perëndimore si në drejtim të buxhetit, si në drejtim të investimeve të huaja, pasi dihet që problemet sociale, veçanërisht ai i papunësisë, është një problem mjaft i mprehtë për të rinjtë. Ashtu sikurse kemi ndarë bindjen e përbashkët se linja hekurudhore midis Shqipërisë dhe Maqedonisë është shumë e rëndësishme për zhvillimin e të gjithë shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve, por edhe për të faktorizuar Shqipërinë dhe Maqedoninë si vende shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit dhe për të vënë vërtetë në funksionim Korridorin e 8-të", theksoi Meta.
Sakaq, Kryetari i Kuvendit tha se takime të tilla ndihmojnë për të koordinuar më mirë ato tema të cilat janë prioritare për shqiptarët kudo që jetojnë. "Kemi diskutuar edhe për çështje të tjera rajonale sikurse janë ato që kanë të bëjnë me forcimin e mëtejshëm të mbështetjes për shtetin e Kosovës, për bashkëpunimin rajonal ku Shqipëria dhe Maqedonia duhet të vazhdojnë të jenë aktive dhe besoj se ky takim, në vazhdën e takimeve tona sistematike, na ndihmon për të koordinuar më mirë të gjitha ato tema të cilat janë prioritare për shqiptarët kudo që jetojnë, me qëllim kryesor afirmimin e tyre si një faktor stabilizues, si një faktor integrues dhe evropianizues për të gjithë rajonin", deklaroi Meta.
/k.m//a.ke/











