“Kur Partia është në pushtet dhe kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, zgjedhjet për kryetarin e partisë do të zhvillohen nëse kërkohet nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa mbështetet nga shumica e delegatëve në Kongres”-thuhet në nenin e riformuluar të statutit të partisë. Po ashtu, ndryshimi tjetër i paralajmëruar është ai papajtueshmërisë me detyrën e kryetarit të partisë në nivel vendor, duke krijuar kështu kufizime të mëdha për funksionarët shtetërorë që të zgjidhen në krye të punëve të partisë.
“Përfaqësuesit e partisë në degët e qeverisjes vendore dhe lokale, ministrat, deputetët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetari i bashkisë, prefekti, kryetari i këshillit të bashkisë, kryetari i njësisë administrative, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre nuk mund të jenë kandidatë apo të zgjedhur në detyrën e kryetarit të partisë për njësinë administrative, kryetarit të partisë për bashkinë, apo funksione të tjera të caktuara nga Asambleja”-thuhet në një tjetër amendim që i është bërë statutit aktual të partisë. Pjesë e ndryshimeve është bërë dhe numri i përgjithshëm i anëtaëve të Asamblesë së PS-së, të cilët do të rinovohen gjatë kongresit, duke e rritur numrin me 80 anëtarë.
“Numri i anëtarëve të Asamblesë ex officio shkon në 145 vetë, dhe AK shkon në rreth 300 anëtarë nga 220 që është tani. Lista fituese e kandidatëve për anëtarë të Asamblesë do të përmbajë jo më pak se 40% të anëtarëve nga secila gjini dhe 10% e këtyre listave duhet të jenë anëtarë të FRESSH”-thuhet në një tjetër nen të ndryshuar të Statutit të Partisë Socialiste. Ky material i amendimeve statusore është përgatitur për t’ju shpërndarë të mërkurën në Asamble të gjithë anëtarëve që do të parashtrojnë axhendën e Kongresit.
Kjo vjen dhe pas kërkesës që dy deputetet Arta Dade dhe Mimoza Hafizi i bën Gramoz Ruçit, u i kërkuan që të njihen paraprakisht me ndryshimet në statut që ka parashikuar grupi i punës i ngritur për këtë çështje. “Ju kërkojmë gjithashtu të jemi të njohur disa ditë para mbledhjes së kësaj Asambleje Kombëtare, me projektin e propozuar nga Grupi i Punës për ndryshime, me qëllim maksimizimin e kontributeve tona që dëshirojmë të japim për demokratizimin e jetës së brendshme dhe të funksionimit të PS”-thuhej në letrën e tyre.
Grupi i punës për ndryshimet statusore drejtohet nga kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, dhe në të bëjnë pjesë ministrat Damian Gjiknuri dhe Ermonela Felaj, por dhe anëtarët e Asamblesë Armando Subashi, Bashkim Fino, Ethem Ruka, Majlinda Bufi, Musa Ulqini, Namik Dokle dhe Vasilika Hysi. Ata kanë përpiluar deri më tani të paktën 6 ndryshime në statutin e partisë.
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)