Eksperti më i lartë amerikan për sëmundjet infektive doktor Anthony Fauci u shpreh i shqetësuar lidhur me rritjen së fundmi të rasteve të reja me koronavirus, veçanërisht në shtetet në jug të vendit.
Gjatë një takimi të organizuar në formën e një telekonference nga Dhoma amerikane e Tregtisë zoti Fauci tha se situata paraqitet e vështirë.
Ai tha se ka ardhur koha "që të shohim në sy atë që po ndodh dhe nëse mund t'i intensifikojmë masat me qëllim frenimin e koronavirusit".
Fauci paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të përballen me "100 mijë infeksione në ditë nëse nuk përqafojnë më agresivitet masat e distancimit social, vendosjen e maskave dhe masa të tjera".
Fauci tha se vendosja e maskave është tejet e rëndësishme për rihapjen sërish të vendit dhe se "të gjithë" sikurse tha ai "duhet t'i vendosin ato".
Në Shtetet e Bashkuara, infeksionet janë mbi 3.6 milionë për një total viktimash prej mbi 139 mijë që nga fillimi i emergjencës shëndetësore.
Në 24 orët e kaluara u raportuan më shumë se 77 mijë raste të reja Covid, një tjetër shifër ditore rekord të prekurish nga koronavirusi.
Për të pestën ditë pesë rresht, Florida ka udhëhequr vendin përsa i perket rasteve për frymë, me mesatarisht mbi 55 të prekur për 100,000 njerëz.
California njoftoi se shkollat në shumicën e qarqeve, që përfaqësojnë 80% të popullsisë së shtetit, nuk do të rihapen as në fillim të vjeshtës, kurse në Teksas dhe Arizona, morgët nuk kanë më kapacitete dhe trupat e viktimave po mbahen në kamiona frigoriferikë.
Texasi raportoi 174 vdekje të reja të lidhura me Covid-19, për një total vdekjesh prej 3735. Gjithashtu në këtë shtet u raportuan edhe më shumë se 10 mijë raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në në 307.572.
Guvernatori i Mississippi-t ka deklaruar se nëse kushtet e koronavirusit nuk ndryshojnë ndjeshëm gjatë fundjavës, në këtë shtet do të bëhet e detyrueshme mbajtja e maskës