TIRANE - Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar sot për deklaratën e CEZ Shpërndarje për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të 40 ndërmarrjeve të ujësjellësve, duke thënë se ultimatumi i CEZ kërkon përgjigje dhe ndërhyrje urgjente të qeverisë. Më tej KSHH shprehet se ky njoftim i CEZ është një kërcënim i rëndë dhe vë në rrezik shëndetin e banorëve pasi uji është një element i rëndësishëm për jetesën e njeriut.

“Ky është një njoftim ogurzi, për gjithë atë pjesë të popullatës së vendit tonë, lajm që krijon panik tek ata por edhe më gjerë, si dhe rrezik imediat për jetën dhe shëndetin e shtetasve. Uji është elementi më i domosdoshëm për jetesën e njeriut, pa përjashtuar këtu edhe nevojat e domosdoshme për ujë të institucioneve, si spitale, shkolla, çerdhe e kopshte, ose nevojat e sektorit të biznesit privat, që furnizojnë popullatën me shërbime dhe artikuj jetësorë, që i ofrojnë tregut”, shkruhet në deklaratën e KSHH-së.

Në këtë situatë KSHH i sugjeron organeve përkatëse të shtetit shqiptar të marrin menjëherë masat e nevojshme për të moslejuar veprimin e paralajmëruar nga kompania CEZ Shpërndarje, ndërsa kësaj të fundit i bën thirrje të rishikojë vendimin e saj dhe të ndjekë rrugën ligjore, duke përdorur mjete, që janë në përputhje me parimet e shtetit demokratik, për të siguruar të drejtat e saj si kreditore.

KSHH i sugjeron gjithashtu organeve të prokurorisë, që në rast të ndërprerjes masive të furnizimit me ujë nëpërmjet rrjetit publik, të fillojë menjëherë çështjen penale në ngarkim të kujtdo, që me veprime ose mosveprime do ta shkaktojë një situatë të tillë.

Së fundi KSHH u bën thirrje të gjithë subjekteve, që kanë kontraktuar furnizim me energji elektrike, ta paguajnë rregullisht atë, sepse së pari ky është një detyrim juridiko-civil që e kemi marrë përsipër, por edhe sepse kështu do të mundësojmë garantimin e vazhdueshëm të këtij malli, që ndikon drejtpërsëdrejti në standardin e jetës sonë të përditshme.

(eç/shqiptarja.com)