Atletico Madrid-Bayern Leverkusen është supersfida që vjen me rikthimin e Champions League, për të luajtur xhiron e 7 të fazës së grupeve. Dy skuadrat, të cilat tentojnë për t’u kualifikuar në 8 më të mirat, si qëllim për të shmangur ‘play-offin’, i ndan vetëm 1 pikë në tabelën e klasifikimit, teksa spanjollët sot i favorizon fakti që luajnë në Madrid. Ndër të tjera Atletico pësoi humbjen e parë këtë fundjavë në La Liga pas 15 fitoresh radhazi në të gjithë kompeticionet dhe duket e lënduar. Për t’u shëruar i duhen 3 pikët, por përballë ka një Leverkusen kampion të Gjermanisë që në 11 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet ka siguruar po kaq fitore.
Në fushë në orën 21 zbret edhe Juventusi që renditet në vendin e 14, por ka një mundësi të mirë për 8-shen në rast se fiton në transfertën e Club Brugge. Ndeshjen e fundit në Champions ‘zonja’ mposhti Cityn dhe vjen pas suksesit në Seria A kundër Milanit. Për belgët Thiago Motta do ketë në dispozicion edhe Conseicaon.
Në kushte më të mira është Barcelona, që ka 15 pikë dhe sonte mund të sigurojë kualifikimin në 8-she në rast fitoreje në transfertën e Benficës. Katalanasve u duhet fitorja edhe për të lënë pas zhgënjimin në La Liga. Po në orën 21:00 Liverpooli kryesues me pikë të plota pret Lille në Angli. “The Reds” kanë luksin e rotacionit në formacion, por në të njëjtën kohë nuk duan të humbasin vendin e parë. Sfidat e tjera të orës 21:00 janë Bologna-Dortmund, Crvena Zvezda-PSV dhe Slovan Bratislava-Stuttgart.
Mbrëmja e sotme nis në orën 18:45 teksa Atalanta në Bergamo duhet të fitojë patjetër kundër Sturm Gruz për të pretenduar 8-shen. Skuadra e Gjimshitit është në kuotën e 11 pikëve, ndërsa përballjen e fundit e luan në Katalonjë kundër Barcelonës. Sfida tjetër e orës 18:45 është Monaco-Aston Villa.