Me një SMS drejtuar Edi Ramës e Sekretarit të Pergjithshem të PS, Gramoz Ruçit, Nano pozicionohet krah tyre duke dalë hapur kundër aleatëve të PS.
Nano shpreson që PS të fitojë bindshëm pa pasur nevojë aleancat e deridjeshme, madje ish-kryeministri i referohet si ‘pseudoaleanca’.
Ka qene kryeministri Edi Rama qe ka publikuar ne rrjetin social, mesazhin e Nanos.
SMS NGA FATOS NANO:
Te dashur Edi e Gramoz!
Uroj nepermjet jush, gjithe socialistet anembane Shqiperise per 26 vjetorin e familjes sone te patjetersueshme! Jam i bindur se fitorja e PSSH ne zgjedhjet e 25 qershorit do garantoje Rilindjen e pakthyeshme te Shqiperise Europiane, pa deformimet e pseudoaleancave te deridjeshme! Ky eshte destini dhe destinacioni yne i perbashket, prandaj kam shume besim se cdo shqiptar i arsyeshem do te vendose qe ne kete udhekryq historik, timonin e qeverisjes se ketij vendi ta besoje ne duart tona!
Nano: Timoni i qeverisjes të besohet në duart tona
Në sy bien përcaktuesi e përemrat që bëhen në shumës, "Destinacioni yne i perbashket, Duart tona".
Ashtu si Rama që gjatë fushatës elektorale për këto zgjedhje parlamentare ka bërë thirrje tek qytetarët që të zgjedhin numrin 2 në fletën e votimit me qëllim që PS të marrë e vetme timonin, edhe Nano është kujdesur që në urim të përfshijë fjalën ‘timon’ duke u përfshirë në këtë qëllim të kryetarit taktual të PS.
Nano uron që timoni të mos ndahet me pseudoaleanca, por fati dhe destinacioni i përbashkët të jetë që timoni i qeverisjes të besohet në ‘duart tona’.
(Publikimi i mesazhit te Nanos nga Edi Rama)
Deklarata e sotme nuk është e rastësishme.
Tre ditë më parë Fatos Nano dhe Edi Rama patën një takim tek vila qeveritare në Durrës, edhe pse nuk dihet me saktësi se çfarë kanë biseduar me njëri-tjetrin.
Ai rezulton i shkëputur nga skena politike prej 12 vitesh. Në vitin 2005, kur humbi zgjedhjet përballë kundërshtarit Sali Berisha, lideri i PS vendosi të largohet nga jeta politike, ndërsa kjo u cilësua si ‘dalja në pension e Nanos’. Pas këtij momenti, daljet e tij publike kanë qenë të rralla. Para 5 vitesh kur pritej të zgjdhej Presidenti i Republikës, Nano u rikthye në skenën politike duke aspiruar postin e Kreut të Shtetit, por pavarësisht takimeve të shpeshta me aktorë politikë nuk siguroi emrin e tij si propozim për President.
Pas largimit të Nanos, drejtimin e PS e fitoi Edi Rama gjatë Kongresit të aso kohe.
Rikthimi i Fatos Nanos sot më shumë se një urim mund të lexohet si një bashkim me ekipin e Rilindjes dhe projektet e kësaj të fundit.
(d.b/Shqiptarja.com)