TIRANE- Ndryshe nga se deklaroi zëvendëskryeministri Niko Peleshi në një intervistë për A1 Report, se do të shbëjë të gjitha vendimet e qeverisë të marra pas 23 qershorit, Rama ka mbajtur qëndrim të kundërt kur është pyetur se çdo të bëhet më godinën e ish –SHQUP që i kaloi Partisë Demokratike.

Kryeministri Rama është treguar i kujdeshëm kur i është përgjigjur kësaj pyetje, duke e përgjithësuar këtë “privatizim”. Ai nënvizoi se përpara se të merret një vendim nuk mund të flas për këtë çështje. 

“Një gjë tjetër që do të ndryshojë është natyra e qeverisjes dhe metoda e qeverisjes së kryeministrit. Unë nuk do të anonçoj vendime që anëtarët e qeverisë do t’i marrin vesh bashkë me televizorin dhe nuk do të deklaroj më parë çka do të bëhet, pa rakorduar së bashku brenda përbrenda Aleancës për Shqipërinë Europiane, jo thjesht midis meje e kryetarit të Kuvendit që është njëkohësisht edhe partneri strategjik në koalicion, por brenda përfaqësuesve të rëndësishëm të kësaj shumice që nuk janë vetëm ministrat, por janë edhe kryetarët e grupeve, janë edhe deputetët me përvojë. Kështu që ne do të ecim me një metodologji krejt tjetër”, është shprehur Rama gjatë emisionit në Top Story.