Buxheti i ri i shtetit është në vlerën 10 miliardë euro ose më saktë 976 miliardë lekë. Një në tre lekë do të shkojë për mbrojtjen sociale, por në fokus do të jetë edhe infrastruktura dhe mbrojtja.

Zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj në një intervistë në emisionin ‘Portofol’ në Report Tv përmbledh sektorët që do të marrin më shumë financim nga viti i ardhshëm.

“10 miliardë eurot shkojnë në një pjesë më të madhe në programet sociale të vendit që janë një sërë programesh të cilat janë prezantuar. Pra janë programe për sa i përket rritjes së bonus të pensioneve, rritjen e bonusit për bebet e porsalindura, por tashmë deri në moshën pesë vjeç. Rritjen e mbështetjes qoftë për individët me aftësi të kufizuara, qoftë për kujdestarët e tyre. Rrit mbështetjen për sektorin e arsimit, sidomos për bursat, për studentët në nevojë. Pra, të gjithë këto programe sociale janë përfituesit kryesorë të këtij buxheti të shtuar”, thotë Yzeiraj.

Zëvendësministri sqaron se edhe mbrojtja tashmë është kthyer në një shtyllë kryesore të buxhetit, sidomos pas luftës në Ukrainë. Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion vitin e ardhshëm 76.6 miliardë lekë me fokus tek armatimet dhe investimet në kuadër të NATO-s.

“Mbrojtja tashmë është një fushë që nuk mund të lihet më buxhetin e limituar. Ne për shkak të angazhimit dhe pjesëmarrjes tonë në aleancën e NATO-s duhet tashmë të arrijmë ato nivele, të cilat po rriten me kalimin e kohës në aleancë dhe janë objektiva që në një farë mënyre i kërkon kjo kohë. Pra koha e paqtë e 35 viteve të fundit e post viteve 90’, i ka ardhur fundi dhe aleanca perëndimore duhet të jetë e përgatitur dhe e armatosur ë në rast të çdo lloj eventualiteti”, thotë zëvendësministri.

Në buxhetin e miratuar janë ndarë edhe 24 miliardë lekë për bonusin e pensioneve dhe indeksimin që pritet të ndodhë në prill. Por pse qeveria jep bonus dhe nuk rrit direkt pensionet?

“Problemi ynë është rënia e lindshmërisë, qoftë për shkak të faktit që tashmë kemi gjithmonë e më shumë në pension, por  edhe një forcë pune e cila ka punuar gjatë viteve 90, viteve 2000, vite ku informaliteti ka qenë i lartë kontributi në skemë është i limituar dhe me aq kontribute sa janë mbledhur ose sa mblidhen nuk paguhen dot pensionet dinjitoze”, thotë Yzeiraj.

Por skema e pensioneve do të zgjasë deri në 2029-ën, më tej ende nuk ka një vendim se çfarë do të ndodhë me pensionistët. Zëvendësministri thotë se në kuadër edhe të reformës së re fokusi do të jetë tek kolonat e tjera të skemës që shkojnë drejt pensioneve private.

“Ne duam që të zhvillojmë gjithmonë më shumë kolonën e dytë dhe kolonën e tretë të pensioneve. Pra investimet në fondet private të pensioneve. Kjo është e vetmja zgjidhje afatgjatë që po bën jo vetëm Shqipëria, por të gjitha vendet e tjera evropiane pavarësisht stadit të tyre të zhvillimit”, thotë Yzeiraj.

Në 2027-ën bonuset e këtij viti do të dyfishohen. Pensionet urbane të plota me vlerë deri 40 mijë lekë do të marrin 3600 lekë në muaj. Pensionet urbane të pjesshme me vlerë deri 22 mijë lekë do të marrin 1600 lekë, pensionet rurale me vlerë deri 18 mijë lekë në muaj përfitojnë bonus 2000 lekë, gjithashtu dyfish do marrin edhe pensionet familjare (1400) dhe ato të invaliditetit (1200 lekë). kush kalon tavanet nuk përfiton, madje një qytetar që ka pensionin 36 mijë lekë nuk do ta marrë të plotë bonusin që të mos kalojë 40 mijë lekëshin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:00
Hotelet me 4-5 yje pa tatim mbi fitimin deri në 2029-ën! Zëvendësministri: Turizmi duhet të paguajë tatime, lehtësia të jetë afatshkurtër

 

Kuvendi ka zgjatur me tre vite përjashtimin 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin për hotelet dhe resortet me 4 ose 5 yje dhe me markë ndërkombëtare me status special. Ky propozim i padiskutuar më herët në komisionet parlamentare u njoftua vetëm gjatë miratimit në seancë. Me rezerva e sheh edhe Ministria e Financave, e cila është e parimit që të gjithë duhet të paguajnë.

“Filozofia e përgjithshme e Ministrisë së Financave është që sektori i turizmit do duhet të fillojë të kontribuojnë në mënyrë më të qenësishme, afatgjatë në buxhetin e shtetit. Është një sektor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër është një sektor i cili patjetër sa herë që ka një zhvillim ekonomik të shpejtë krijon zhbalancime shoqërore, pra përfitojnë ata të cilët janë të përfshirë në sektor, por jo shtresat e tjera dhe kjo do të thotë që shtresat e tjera paguajnë kostot e këtij zhvillimi”, thotë Endrit Yzeiraj.

Sipas zëvendësministrit këto lehtësi duhet të jenë vetëm afatshkurtra për këtë sektor, dhe më pas të kalohet në tatim normal.

“Mendimi ligjvënëse ka qenë që edhe për një periudhë relativisht afatmesme ato hotele të cilat janë brand name, dhe që në një farë mënyre janë magnetet kryesore për tërheqjen e një shtrese relativisht elitare të turizmit, të vazhdonin të kenë një përfitim. Por synimi në afatgjatë është që të gjithë duhet të paguajnë tatime”, tha zëvendësministri.

Ora 20:49
Reduktimi i TVSH për ushqimet, Yzeiraj: Presim ulje deri 10% të çmimeve! Sqaron pse s’përfshihet uji në skemë e do tatohet 21%

 

Paketa Fiskale 2027, përbëhet nga 5 ligje pasi tashmë janë miratuar, por ndryshimet kryesore ishin tek ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore si dhe për paketat higjienike për gratë dhe bebet.

Ndërkohë rritet TVSH-ja standarde në 21%, që do të thotë çdo produkt tjetër veç shportës dhe paketave higjienike do të shtrenjtohet, si dhe ulet pragu i regjistrimit në TVSH për bizneset.

Sfidë është garantimi i uljes së çmimeve të ushqimeve bazë pas kësaj zbritje tatimore. zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, thotë se ulja maksimale që presin arrin deri 10% çmime më të lira.

“A mund të kemi një përcjellje perfekte të këtij reduktimi? Kjo nuk ndodh. Kjo ndodh vetëm në teori sepse kuptohet që gjithmonë një pjesë e këtij reduktimi fillon edhe ndahet. Gjithsesi çdo lloj përcjellje e një mase përtej 10% është jashtëzakonisht shumë e kënaqshme dhe e mirë. Çdo lloj përcjellje deri në 5% do konsiderohej një përcjellje jo e kënaqshme dhe do të na detyronte të ndërmarrim masa për hulumtime të mëtejshme. Reduktimet nga 5% deri në 10% pastaj do duhet të vlerësohen sipas produktit dhe sektorit të tyre”, thotë Yzeiraj.

Kuvendi rrëzoi ndryshimin e bërë në Komisionin e Ekonomisë për përfshirjen e ujit të ambalazhuar në TVSH 6%. Ky vendim konsiderohet i drejtë nga qeveria pasi synohet furnizim 24 orë me ujë nga rrjetit publik.

“Shqipëria po ndërmerr një politikë jashtëzakonisht shumë ambicioze në investime në rrjetet e kanalizimeve dhe të ujësjellësve, të cilët ne jo vetëm mendojmë por e kemi detyrim edhe për shkak të procesit të integrimit evropian që ne duhet të kapim patjetër standardet e Bashkimit Evropian në pak vite. Vetëm në qytetin e Durrësit fillon në vitin që vjen një investim prej 200 milion eurosh për rrjetin e kanalizimeve dhe ujësjellësve për ta sjellë ato në një standard ë të nivelit më modern evropian. Pra ne do bëjmë gjithë këto investime të cilat do duhet patjetër të garantojnë ujë të pijshëm 24 orë me cilësi tërësisht moderne”, thotë ai.

Yzeiraj thotë gjithashtu se pjesë e TVSH-së 6% u vendos që të jenë produktet që kushtojnë më shumë.

“Pyetja ishte nëse do fillonim të kishim produktet që kushtojnë më shumë apo ujin? Patjetër që zgjidhja e gjithsecilit është për të patur produkte që kushtojnë më shumë bulmetin, fruta-perimet, produktet sanitare që kanë qenë shtesa e fundit në komisione”, thekson zëvendësministri

Pjesë e paketës fiskale të miratuar në Kuvend, është rritja e dividendit nga 8 në 15%. Për herë të parë do të ketë normë tatimore 30% për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, ndërkohë që lehtësohet barra tatimore për shtresën e mesme me paga nga 200 mijë deri 700 mijë lekë. ndërkohë ligji i taksave kombëtare, vendos transferimin e taksës së qarkullimit nga karburanti tek taksat e mjetit si dhe ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore, ashpërsojnë masat ndaj bizneseve që nuk shlyejnë në kohë detyrimet e tyre. Është miratuar gjithashtu rritja e akcizës për duhanin, por jo për atë që prodhohet në vend.